Ka nisur zbatimi në terren i instalimit të impianteve për trajtimin e ujërave të ndotura nga strukturat akomoduese të cilat operojnë në zonat bregdetare.
Zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku gjatë inspektimit të saj në një prej hoteleve në zonën e Kune Vain tha se ajo që synohet që të arrihet është klasifikimi në nivelin e 95% të ujërave larës me cilësi “shkëlqyeshëm”.
“Është bërë një punë bindëse me të gjithë grupet e interesit pasi është në të mirën e tyre. Nga Agjencia Europiane e Mjedisit për Trajtimin e Ujërave Larës ne jemi konsideruar një vend me 67.5% ujëra të nivelit të “shkëlqyer”. Në ndërkohë synimi i Qeverisë Shqiptare është që të arrijmë në 95% me një kriter të “shkëlqyer”, kështu që e gjithë kjo punë ka nisur para këtij sezoni dhe mendojmë që tashmë hotelierët janë të qartë se kjo nuk është një kërkesë e pabazuar. Kjo është një kërkesë e domosdoshme pasi me para trajtimin e ujërave sigurisht brigjet ku janë vendosur këto njësi hotelerie do të qëndrojnë të pastra”.
Për kryebashkiakun Ndreu ky rast është një shembull shumë i mirë, i cili vlen edhe për subjektet e tjera.
Fokusi më i madh i monitorimit të task forcës do të jetë në ato zona që mbajnë dhe peshën më të madhe turistike, si Lezhë, Durrës, Vlorë e Sarandë.
Diskutime rreth kësaj post