Sot mbushen 17 vjet që është ndarë nga jeta aktori i madh Sulejman Pitarka. Nderin dhe respekt për figurën e tij!
Pitarka ka lindur në Dibër më 2 shkurt të vitit 1924 dhe u nda nga kjo jetë më 24 Mars 2007 në moshën 83 vjeçare
Sulejman Pitarka mbetet një personalitet i madh. Ky artist intelektual, falë aftësive të tij të jashtëzakonshme, ka realizuar në teatër dhe film si role tragjike-dramatike, ashtu edhe ato komike. Ai përfaqësonte në mënyrën më domethënëse tipin e aktorit të karaktereve të forta, me profil të veçantë, qoftë në dramë, qoftë në komedi. Natyrshmëria, sinqeriteti dhe shprehimësia e lartë kanë qenë cilësitë e tij kryesore në fushën e interpretimit aktorial.
Pitarka ishte edhe dramaturg. Do të mjaftonte vetëm “Familja e peshkatarit”, një dramë që mbijetoi gjatë në skenat tona. I lindur në Dibër më 2 shkurt të vitit 1924, Sulejman Pitarka kishte nisur në fillim karrierën e njeriut të ekonomisë. Por një zbulim i vetvetishëm, siç ka ndodhur gjithmonë me jetën e njerëzve të destinuar nga fati për t’u bërë artistë të mëdhenj, e bëri atë të trokiste atë në dyert e Teatrit Popullor në vitin 1951.
Rrallë gjenden tek një artist cilësi fizike të arrira, për t’i sendërtuar dhe përcjellë tek publiku aftësitë e brendshme si te Pitarka. Dhe këto cilësi e dallonin: zëri i plotë dhe i ngrohtë, trupi i lartë dhe elastik, sytë shprehës dhe fizionomia karakteristike e fytyrës.
Këto dhurata të natyrës aktori Pitarka i kishte kuptuar qysh se hyri në rrugën e artit. Prandaj diti t’i shfrytëzojë për të dhënë vlera të shquara në teatër dhe në film. Këtu qëndron dhe kontributi i tij i madh në kulturën artistike shqiptare.
Që nga viti 1955, kur shkroi dramën “Familja e peshkatarit”, që ka hyrë në historinë e letërsisë shqipe, Pitarka krijoi edhe pjesë të tjera teatrale si “Burri me përparëse”, “Trimi i mirë me shokë shumë”, (1957) kushtuar Skënderbeut. Drama të tjera të Pitarkës janë “Heronjtë e Linasit”
(1967), “Kulla e Hutajve” etj.
Me profilin e tij intelektual Sulejman Pitarka ka dhënë kontribut edhe në fushën e artit skenik dhe të kritikës teatrore. Edhe pse nuk ka shkruar shumë në këtë fushë, me ato pak punime del në pah krijuesi i talentuar dhe origjinal, dramaturgu dhe njeriu i teatrit. Por më shumë se me trajtimet teorike apo kritike, Pitarka ka ndikuar me krijimtarinë e tij skenike.
Janë më shumë se 100 role, të cilat rikthehen herë pas here në ekran, për të dëshmuar për artistin, për mjeshtrin e fjalës Sulejman Pitarka. Ai mban titullin “Artist i Popullit”, “Mjeshtër i Punës” dhe një çmim karriere.
Diskutime rreth kësaj post