Kryetari i grupit parlamentar i Partisë Demokraitke, Gazment Bardhi ka reaguar në rrjete sociale lidhur me vulën e PD-së.
Bardhi thotë se pas zbardhjes së vendimit të Gjykatës së Lartë për konfliktin e brendshëm ligjor në PD, është e domosdoshme që Gjykata e Lartë menjëherë dhe pa asnjë vonesë të mëtejshme t’i jap fund tejzgjatjes së këtij absurdi që vijon prej 2 vitesh dhe që duhet të ishte zgjidhur me vullnet e përgjegjshmëri politike.
Çdo zvarritje do të ishte e papranueshme, sepse dëmton opozitën dhe përmes saj dëmton Shqipërinë, thotë Badhi.
“Pas zbardhjes së vendimit të GjL për konfliktin e brendshëm ligjor në PD, është e domosdoshme që GjL menjëherë dhe pa asnjë vonesë të mëtejshme t’i jap fund tejzgjatjes së këtij absurdi që vijon prej 2 vitesh dhe që duhet të ishte zgjidhur me vullnet e përgjegjshmëri politike.
Partia Demokratike e Shqipërisë është pronë e anëtarëve të saj, aset kombëtar, dhe çështje e interesit publik, që ndikon në mënyrë të drejtëpërdrejtë në jetën publike, shtetërore, institucionale të vendit. Çdo zvarritje do të ishte e papranueshme, sepse dëmton opozitën dhe përmes saj dëmton Shqipërinë!”, shkruan Bardhi.
Një ditq më parë Gjykata e Lartë urdhëroi Gjykatën e Apelit të shqyrtojë në themel vlefshmërinë e Kuvendit të 11 dhjetorit të vitit 2021 dhe t’i japë përgjigje dilemës se cilat janë organet drejtuese të partisë më të madhe të opozitës, Partisë Demokratike.
Në vendimin e arsyetuar bie në sy se Gjykata e Lartë rrëzon vendimin e shkallës së dytë duke theksuar se Apeli nuk ka kryer një hetim të plotë të çështjes, nuk ka kuptuar natyrën e mosmarrëveshjes dhe ka interpretuar gabim normat dhe ligjin procedurial.
Gjykata e Lartë ka vënë në dukje se në procesin e regjistrimit të statutit dhe vendimeve të një partie politike, gjyqtarët kanë të drejtë të kontrollojnë vetëm vlefshmerinë e procedurave të ndjekura, duke nisur nga njoftimet për mbledhjen e forumeve, tek kuorumi dhe zbatimi i statutit. Por sipas gjykatës në këtë proces nuk mund të ketë palë, duke rrëzuar kështu ankimimin e Enkelejd Alibeajt në Apel.
“Gjykata zhvillon një gjykim në të cilin, nuk ekziston konflikti mes palëve kundërshtare, por për shkak të natyrës së çështjes apo cilësive të kërkuesit të parashikuara nga ligji, gjykata vlerëson thjesht përputhshmërinë e akteve, veprimeve juridike apo fakteve me qëllim që tu japi atyre efekte juridike.”
Sipas kolegjit të Gjykaës së Lartë kur ka mosmarrëveshje brenda një partie politike duhet hapur një gjyq i ri.
“Në rast se ndonjë subjekt i tretë pretendon se cenohet nga regjistrimi i këtyre akteve për ndryshimet statutore, ka detyrimin që të paraqesë padi themeli, në mënyrë që gjykata të vlerësojë themelin e mosmarrëveshjes dhe të përcaktojë në mënyrë përfundimtare se kush është subjekti që mbart të drejtën dhe kush ka tagrat e përfaqësimit ligjor të personit juridik ndaj të tretëve.”
Gjykata e Lartë urdhëron Apelin që pasi të analizojë çështjen të vendosë nëse Komisioni i Rithemelimit është apo jo organi që drejton Partinë Demokratike.
“Gjykata e Apelit duhet të merrte në shqyrtim dhe të analizonte nga pikëpamja e ligjit dhe e faktit se, çfarë vlere provueshmërie dhe juridike kanë: aktet e miratuara në Kuvendin Kombëtar në datën 11.12.2021 në lidhje me organet drejtuese të PDSH, për të cilat kërkohet regjistrimi në regjistrin e partive politike.”
Nga ana tjetër Gjykata e Lartë rrëzon arsyetimin e Apelit se Gjyqtari Agron Zhukri nuk mund të shqyrtonte çështjen organeve drejtuese të Partisë Demokratike.
Tani qe argumentat e gjykatës së lartë janë publikuar, apeli duhet të marrë edhe njëherë në shqyrtim kërkesën e komisionit të Rithemelimit për kuvendin e 11 dhjetorit të vitit 2021. Nëse apeli njeh Kuvendin e 11 dhjetorit atëhere Sali Berisha i cili është zgjedhur nga shumica e demokratëve si kryetar i PD, do të jetë edhe ligjërisht kryetari i partisë më të madhe të opozitës.
Vendimi i Apelit merr një rëndësi të veçantë pasi vitin e ardhshëm mbahen zgjedhjet parlamentare dhe nga ky vendim varet kush do të garojë me logon e PD, Sali Berisha apo Lulzim Basha.
Diskutime rreth kësaj post