Pas Ogerta Manastirliut, drejt dorëheqjes duket se po shkon edhe Belinda Balluku. Një ditë më parë gazeta “SOT” deklaroi se zonja Manastirliu është gati të japë dorëheqjen si ministre e Arsimit, pasi ka rënë në rrjetën e Prokurorisë Speciale (SPAK) për shkak se dyshohet se po hetohet për aferat e koncesioneve në shëndetësi.
Por në të njëjtën pozitë me Manastirliun, ndodhet edhe zonja Balluku, e cila gjithashtu dyshohet se ka rënë në radarët e SPAK dhe dyshohet se është përfshirë në afera korruptive dhe përpara kësaj situate delikate ajo është drejt dorëheqjes si ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe padyshim që do të jetë subjekt hetimi. Sinjalet se Ballukun e presin telashe me drejtësinë i ka dhënë gazetarja e njohur e kronikës, Klodiana Lala. Kjo e fundit teksa ishte e ftuar në një studio televizive zbuloi se përveç Evis Berberit, po hetohen dhe shumë zyrtarë të tjerë te ARRSH. Ajo ka deklaruar se në sitë është vënë dhe ministrja Belinda Balluku, e cila kishte për detyrë që të shmangte konfliktin e interesit nga vartësi i saj. “Ka hetim të rolit të ministres nëse do duhej të kishte konstatuar së pari konfliktin e interesit dhe nëse do duhej të kishte konstatuar të gjitha këto problematika për shkak se administron dhe ka në varësi këtë institucion”, deklaroi Lala. Ndërkohë edhe inxhinieri Romeo Nazarko është shprehur në një media se ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku duhet të mbajë përgjegjësi ligjore pas arrestimit të njeriut të saj të besuar, drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash. Madje Nazarko deklaroi se Ministria e Infrastrukturës ka përgjegjësi direkte, duke shtuar se “Belinda Balluku duhet të mbajë përgjegjësi morale”. Po ashtu, inxhinieri Romeo Nazarko, ka folur për skandalin e shembjes së një pjese të rrugës Korçë-Ersekë, duke thënë se ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku duhet të kishte dhënë menjëherë dorëheqjen pas ngjarjes. Inxhinieri deklaroi se shembja e rrugës ndodhi pasi nuk u respektuan standardet teknike, që monitorohen direkt nga Ministria e Infrastrukturës. Nazarko u shpreh se aksi Korçë-Ersekë është projektuar keq që në gjenezën e saj, duke shtuar se problemi ishte vlera dhe jo cilësia e rrugës. Pra deklaratat e gazetares Lala dhe inxhinierit Nazarko janë një kambanë alarmi për zv/kryeministren Belinda Balluku, e cila duket se është drejt dorëheqjes dhe prangave.
Skandalet dhe aferat
Por nuk ndalet me kaq, pasi sinjalet se Belinda Ballukun e presin telashe me drejtësinë i ka dhënë edhe emisioni “Vetting” në “News 24” sjell në këtë episod, disa të vërteta të fshehura nga numri dy i qeverisë, njëherësh ministrja e linjës, të cilat lidhen me aferat me Rrugën e Arbrit, të fshehta që kanë sjellë kosto shtesë edhe për kohëzgjatjen e punimeve edhe për buxhetin e shtetit- shtesa dhe buxhete të miratuara nga vetë zv/kryeministrja Balluku. Një projekt i pambarueshëm që i përket edhe zonës së patronazhit të vet politik dhe elektoral. Në qendër të këtij zbulimi nga “Vetting” është gropa financiare e shkaktuar prej këtij projekti, por gjenden edhe kompani, të cilat në konflikt të mundshëm interesi, kanë përfituar tendera nga Ministria e Infrastrukturës, për supervizimin e koncesionit të Rrugës së Arbrit. Nga ana tjetër, emisioni “Vetting” tregon edhe lidhjet e Belinda Ballukut dhe pagesat e majme për Inceneratorët, teksa ka qenë Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili ka zbardhur abuzimet e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Rruga ngjitëse e karrierës së Ballukut deri te numri 2 i qeverisë dhe hijet financiare rreth saj
Katapultimi në qeveri
Në vitin 2004, Belinda Balluku do t’i bashkohej stafit të Bashkisë së Tiranës, me Edi Ramën si kryebashkiak, në rolin e këshilltares për Marrëdhëniet me Publikun. Me ardhjen e kryeministrit Edi Rama në pushtet, nga shtatori 2013 deri në dhjetor 2018, Belinda Balluku do të mbante postin e Drejtores së Përgjithshme të ALBCONTROL-it”, thuhet në emisionin “Vetting”. Në 17 janar 2019, pushteti politik i Ballukut do të rritej në mënyrë eksponenciale, duke u emëruar Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe në Prill 2021, ajo do të fitonte mandatin si deputete e Partisë Socialiste. Pushteti i ministres do të kulmonte në fillim të gushtit 2022, kur kryeministri Edi Rama do ta propozonte si zv. kryeministre, duke marrë nën zotërim edhe Ministrinë e Rindërtimit që drejtohej nga paraardhësi i saj, tashmë në kërkim, Arben Ahmetaj. Gjatë kohës që ka qenë në Ministrinë e Infrastrukturës, Balluku do të firmoste disa nga koncesionet dhe projektet më të rëndësishme të qeverisë. Ajo do të monitoronte dhe do të kryente pagesat për kontratat e inceneratorëve, të cilat vazhdojnë të rezultojnë një nga aferat më të mëdha me abuzimin e fondeve publike. Por disa prej projekteve të miratuara nga ministrja Balluku kanë qenë në qendër të akuzave nga opozita shqiptare si afera korruptive, si rasti i Portit të Durrësit. Koncesionet e firmosura nga vetë Balluku kanë marrë vëmendje prej kostove të shtuara dhe zgjatjen ciklike të afateve për punimet e Rrugës së Arbrit. Sakaq në qendër të hetimeve nga SPAK është edhe një nga bashkëpunëtorët e saj më të ngushtë, kreu i ARRSH-së Evis Berberi, i cili u arrestua nga Prokuroria e Posaçme për korrupsion dhe pastrim parash. Edhe pse janë shkelur afatet për rrugët, janë rritur kostot për shumicën e këtyre projekteve, numri dy i qeverisë, Belinda Balluku, e cila de facto është vendimmarrëse, ka qenë jashtë vëmendjes së denoncimit publik. Për arsye të pashpjeguara opozita e copëzuar politike e vendit ka qenë e përçarë edhe në qëndrimet ndaj dëmeve në buxhetin e shtetit nga ministria që drejton zonja Balluku.
Denoncimet e KLSH
Konkretisht si Rithemelimi, por edhe Partia e Lirisë, nuk kanë ngritur zërin për kostot e pafundme të rrugëve, nuk kanë kërkuar qoftë edhe një interpelancë me këtë ministre. Ndërkohë që bëmat financiare për rrugët e pambaruara shënojnë shifra rekord në historinë e buxhetimit publik për gjithë dekadat e pas viteve 1990. E vetmja pasqyrë që nxjerr fytyrën abuzuese, është Kontrolli i Lartë i Shtetit. Raportet e KLSH-së, të lëna jashtë vëmendjes së institucioneve apo edhe mediave, zbulojnë arsyet e kësaj heshtjeje. Aty zbulohet se zv/kryeministrja Balluku ka toleruar zbatimin e koncesionit/PPP të hekurudhës për linjat Fier – Ballsh dhe Fier – Vlorë. Kontrata koncesionare “Për dhënien me koncesion të rehabilitimit, operimit dhe transferimit të rrjetit të transportit hekurudhor në linjat Fier – Ballsh dhe Fier – Vlorë” është fituar nga bashkimi i kompanive “ALB-STAR” sh.p.k & “MATRIX KONSTRUKSION” në shtator 2015, të cilat për zbatimin e këtij projekti do të bashkëthemelonin koncesionarin “ALBRAIL”. Në shkurt 2016, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës do të lidhte kontratën me kompaninë “ALBRAIL”. Por lidhja e kësaj kontrate ka një prapaskenë, pasi njëri nga aksionerët e kësaj kompanie, A. L, rezulton i biri i ish deputetes dhe zv/kryetares së Kuvendit të Shqipërisë në momentin e lidhjes së kontratës. Ky rast ngre dyshime të forta për konflikt interesi dhe kontrata është firmosur nga ish ministri Edmond Haxhinasto, bashkëthemelues i ish Lëvizjes Socialiste për Integrim, sot Partia e Lirisë, ku është zv/kryetar i saj. KLSH argumenton se Ministria e Infrastrukturës, në kohën që drejtohet nga Balluku, nuk ka dërguar në Ministrinë e Financave pasqyrat financiare vjetore të vitit paraardhës për aktivitetin e koncesionarit. Gjithashtu audituesit konfirmojnë se nuk ka patur raportime për ecurinë e zbatimit të kësaj kontrate, duke qenë në kundërshtim me përcaktimet në Udhëzimin e Ministrit të Financave dhe Ekonomisë nr.35, datë 12.12.2019. Përtej dritëhijeve për realizimin e punimeve, vetë ideja për projektimin dhe nisjen e garës për projektin e “Dhënie me Koncesion/PPP i ” Përmirësimit, Ndërtimit, Operimit dhe Mirëmbajtjes së Rrugës së Arbrit” ka prapaskena të tjera. Ndërtimi i aksit me gjatësi 54 kilometra që lidh Tiranën me Dibrën nëpërmjet kontratës koncesionare me kompaninë ‘Gjoka Konstruksion’, filloi në vitin 2018. Ky projekt parashikon ndërtimin e një rruge me dy korsi, e cila kalon në një rrugë me gjashtë tunele dhe dy ura të larta. Më 12 Prill 2017, Qeveria Shqiptare do të miratonte një bonus prej 10 pikësh për kompaninë “Gjoka Konstruksion” për propozimin e pakërkuar për Rrugën e Arbrit. Më 31 tetor 2017, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, nën drejtimin e Damian Gjiknurit, do të shpallte fitues “Gjoka Konstruksion” me ofertë 40 miliardë lekë me TVSH ose 400 milionë euro, e cila krijoi kompaninë “Gjoka 87” për koncesionarin.
Diskutime rreth kësaj post