Bashkëpunimi i Prokurorisë së Posaçme (SPAK) me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do përcaktojnë vijimin e hetimeve për tragjedinë e Gërdecit. Informacionet që do të shkëmbehen deri më 12 maj mes drejtësisë shqiptare dhe asaj amerikane mund t’i shtojnë telashet Shkëlzen Berishës, i akuzuar si pronari në “hije” i biznesit të vdekjes. Ndërsa në GJKKO vijon procesi gjyqësor ndaj ish ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, se për tragjedinë e 15 marsit 2008 në hetim është dhe një tjetër fraksion i dosjes për korrupsion dhe pastrim parash sa i takon trafikimit te municioneve. SPAK po kryhen të gjitha verifikimet e mundshme në lidhje me këtë dosje dhe se janë nisur drejt SHBA disa letër-porosi për marrjen e provave dhe dëshmive me interes për hetimin.
Letër-porositë dhe dëshmitë e 5 shtetasve amerikanë
Mësohet se SHBA i kanë kthyer përgjigje përmes një letër-porosie Gjykatës së Posaçme, ku kërkojnë pyetje të tjera shtesë dhe informacion mbi statusin penal të personave që kërkohet të merren në pyetje në lidhje me procesin gjyqësor të nisur për çështjen “Gërdeci”. GJKKO njoftoi se nga Ministria e Drejtësisë kishte ardhur përgjigja se autoritetet amerikane kanë pranuar kërkesën e autoriteteve tona për të marrë deklarimet e 5 personave, mes tyre edhe Patrick Henry të kompanisë “SAC”. Por nga ana tjetër, kërkon të saktësojë disa pyetje për secilin si dhe t’i vihen në dispozicion Henry-t, shkëmbimi i email-eve që ai ka pasur me ish-drejtorin e ”MEICO”-s, Ylli Pinari. Autoritetet amerikane kanë lënë seancë më 12 maj dhe brenda kësaj date duhet të mbërrijë përgjigja nga Shqipëria, ndërkohë që sugjeron se seanca mund të bëhej edhe me video-konferencë. Ata kërkojnë të dinë statusin e tyre penal, cili është interesi i tyre për hetimin, për çfarë shërbejnë dëshmitë. Patrick Henry ishte bashkëpronar me 25% të aksioneve në kompaninë e demontimit të armëve në Gërdec. Përfaqësues i kësaj kompanie amerikane SAC (Southern Anmmunition Company), e cila kishte lidhur kontratën me Ministrinë e Mbrojtjes, për çaktivizimin e municionit të kalibrit të rëndë, të predhave të artilerisë në Gërdec ishte Rrahman Selmanllari, i konsideruar edhe si “vëllai” i Shkëlzen Berishës.
Selmanllari perfaqesuesi i Shkelzenit
Selmanllari, në atë kohë përfaqësonte Shkëlzen Berishën në transaksione biznesi apo pasurish të patundshme. Me autorizim të presidentit të kësaj kompanie, Patrick Henry, Selmanllari ka përfaqësuar veprimtarinë e kësaj kompanie në Gërdec. Pikërisht për këtë kompani Fatmir Mediu debatoi me Ridvan Boden në mbledhjen e qeverisë së 17 shkurtit 2007. I pyetur për raportet me Rrahman Selmanllarin, Shkëlzen Berisha ka relativizuar lidhjet me të, duke pretenduar se roli i Selmanllarit në Gërdec nuk kishte lidhje me atë.
Lidhja mes Patrik Henrit, Delijorgjit, Selmanllarin dhe Shkëlzenit
Patrik Henri, pronar i SAC, ishte partner me Delijorgjin, i cili ishte pronar i Alba Demil. SAC merrej me demontimin, ndërsa Alba Demil me ngritjen e infrastrukturës dhe rekrutimin e punonjësve, që në fakt ishin gra, fëmijë, por edhe baxhanaku i Sali Berishës, Mehmet Hoxha. Patrik Henri ishte bashkëpronar me 25% të aksioneve në kompaninë Alba Demil me Delijorgjin. Nga ana tjetër, Patrik Henri përfaqësohej nga shoku i Shkëlzenit, Rrahman Selmanllari, ndërsa vetë Shkëlzeni lëvizte fijet lart, duke pasur babin, Sali Berishën, kryeministër. Kur shpërtheu Gërdeci, Patrik Henri dhe Dlijorgji nisën të akuzonin njëri-tjetrin si përgjegjës dhe madje të implikonin edhe emra të tjerë. Kur prokurorët amerikanë e morën në pyetje për llogari të drejtësisë shqiptare, Patritk Henri u shpreh se “Ylli Pinari (ish-drejtori i MEIKO nën varësinë e Mediut dhe Berishës) më prezantoi mua me Mihal Delijorgjin. Ne u takuam në House of Pasta në Tiranë, Shqipëri. Mu tha se ai kishte çmilitarizuar tanke për MEICO dhe ishte shumë i familjarizuar me drejtimin e biznesit si në Shqipëri dhe me MEICO. Gjithashtu mu tha se ai kishte një kompani ndërtimi, e cila mund të ndërtonte çdo ambient të nevojshëm si dhe të siguronte fondet, që kërkoheshin për të blerë lëndën e parë”.
Çfarë ndodhi dje në seancë?
Sa i takon Luan Hoxhës, Anjola Agollit dhe Dashnor Çaushit, policia nuk i ka gjetur adresat e tyre dhe SPAK kërkoi të ripërsëritet thirrja për këta dëshmitarë. Seanca e radhës u caktua më 13 mars në ora 9:00 Mediu u ftua sërish të dëshmonte si i pandehur nga SPAK, por ai tha se do të priste përfundimin e dëshmive të të gjithë personave të thirrur në proces dhe do të konsultohej me avokatët Dje, në gjyqin për “Gërdecin” foli vetëm Rezart Tërshana, ndërsa Sokol Ngjeci dhe Dritan Minxolli u paraqitën, por nuk folën. Zoti Tërshana shpjegoi se nuk mundet që Komisioni të caktojë koston e transportit të municioneve pasi sipas tij personeli civil i Komisionit nuk e dinin sa ishte gjatësia nga magazina për tek kompania ‘nga pika A në B! “Pasi ne, siç tha ai, ishim të hapur për oferta. Të gjitha demontimet që bëheshin ishin kosto për shtetin. Ai tha se ka qenë pjesë e komisionit të vlerësimit të çmimeve të fishekëve. Ai tha që për të përcaktuar çmimin e municioneve për demontim, ishte caktuar një formulë e ndarë në dy shtylla. Ne llogarisnim vetëm se sa kishim të ardhurat nga tunxhi dhe bronzi. Ndërsa sa i takon transportit ne nuk e kishim të përfshirë në kosto sepse nuk e dinim dhe nuk kishim të dhënat e distancës së magazinës së demontimit me adresën ku do zhvendosej. Sa i takon barutit në çdo rast nuk futej në kosto sepse duhej të asgjësohej dhe nuk di çka ndodhur në Gërdec që nuk u asgjësua. Kompania “SAC” ishte e vetmja që shprehu interes, na interesonte se deri në 2008 kishin qenë me humbje demontimet që i kushtonin buxhetit të shtetit deri në atë periudhë deri në 35 milionë dollarë. Ndërkohë që pyetjes së avokatit të Mediut Ardian Visha se çfarë do të kishte bërë ndryshe tashmë që kanë kaluar 17 vjet, Tërshana tha se “s’do bëja asgjë ndryshe vetëm se nuk do të firmosja”, theksoi ai.
Provat për trafik fishekësh
Ka shumë prova, që tregojnë se në Gërdec bëhej trafik fishekësh. Kjo u faktua nga vetë amerikanët, pasi u dënua me 4 vite burg kreu i kompanisë AEY, Efraim Diveroli. Licenca e Diverolit dhe firmës së tij AYE u bllokua vetëm pak ditë pas skandalit të Gërdecit në Shqipëri dhe shkrimit të botuar në “Nevv York Times” në lidhje me këtë çështje. Ai kishte shënuar në dokumente se municionet e kallashnikovit ishin prodhim hungarez i viteve 1965-1975, por në fakt ato ishin prodhim kinez. Fishekët ishin blerë në Shqipëri në bazë të disa kontratave me firmën shtetërore MEICO dhe skandali ka dalë në dritë vetëm pas procesit të ripaketimit në Shqipëri. Për të fshehur origjinën kineze të armëve, Diveroli dhe zyrtarët shqiptarë bënë një ripaketim të tyre duke i hequr nga arkat e vjetra kineze e duke i rivendosur në disa arka të reja plastike. Procesi i ripaketimit nisi me firmën e biznesmenit shqiptar Kosta Trebicka por më pas qeveria shqiptare preferoi të fuste në veprim Henri Tomein, person i njohur si trafikant ilegal armësh, i cili rriti artificialisht çmimin e armëve nga 18 në 42 dollarë për një arkë me municione. Këto para dyshohet se janë ndarë mes zyrtarëve shqiptarë, Diverolit dhe Henri Tomeit. Dyshimet janë se Diveroli bashkëpunonte me përfaqësues të qeverisë shqiptare dhe një ndër emrat që përmendet në kabllogramet e ambasadës amerikane është djali i ish-kryeministrit Berisha. Për këtë arsye, SPAK i është drejtuar me një shkresë Uashingtonit, ku kërkon që të merret në pyetje Diveroli për llogari të prokurorisë shqiptare. SPAK kërkon që ai të hedhë dritë mbi skemën që ndiqej për trafikun e fishekëve.
Diskutime rreth kësaj post