Pas Samitit kushtuar Ukrainës, liderët e Ballkanit Perëndimor u bënë bashkë në Tiranë në një tjetër takim të nivelit të lartë, në fokus të të cilit është zbatimi i planit të rritjes ekonomike, si dhe rrugëtimi i vendeve të rajonit drejt Bashkimit Europian.
Duke nisur nga Komisioneri për Zgjerimin në BE Oliver Varheley, në tapetin e kuq zbritën njëri pas tjetrit lidërët e Ballkanit Perëndimor.
Të vetmit që munguan fizikisht në samitin BE-Ballkani Perëndimor ishin Kryeministri i Malit të Zi dhe ai i Kosovës Albin Kurti, por ky i fundit mori pjesë virtualisht përmes një videomesazhi.
Si mikëpritës i këtij samiti, Edi Rama fjalën e tij e nisi me një apel drejtuar vendeve të rajonit.
“Vendet e rajonit duhet të bashkëpunojnë. Çështjet dy palëshe mbeten por duhet të zgjidhen përmes dialogut dy palësh dhe jo të ndërhyjnë në këtë bashkëpunim shumë palësh”.
Pas këtij apeli fqinjët në rajon i ftoi të bashkëpunojnë ngushtësisht për zbatimin e planit të rritjes ekonomike. E kundërta sipas Kryeministrit do të shënonte dështimin e Ballkanit Perëndimor për të qënë pjesë e BE-së.
“Ose e bëjmë së bashku, ose dështojmë së bashku, ekonomitë tona nuk mund të lulëzojnë duke penguar lëvizjen e lirë të njëra tjetrës. Ose bëjmë paqe për të punuar për begatinë tonë, ose mungesa e kësaj begatie do na bëjë të humbasim paqe. Kështu funksionon BE, kështu duhet të funksionojë Ballkani Perëndimor. BE është më e gatshme se kurrë të na ndihmojë të bëhemi pjesë e saj, duhet të jemi ne tashmë më gati se kurrë të ndihmojmë veten për të mos e humbur këtë dritare”.
E në përmbushjen e këtij ushtrimi aspak të lehtë, por me përfitime konfirmoi ambicien se Shqipëria në Qershor do jetë gati për të aplikuar si pjesë e zonës së përbashkët të pagesave Euro.
“Shqipëria është e gatshme për këtë ushtrim mjaft sfidues, do të punojmë pareshtur me gjithë të tjerët për të ecur drejt zonës së përbashkët të pagesave Euro, drejt lehtësimit të tregtisë së transportit dhe tregut dixhitale, drejt lehtësimit të tregtisë së transportit dhe tregut dixhitale”.
Se cilat janë përfitimet nga zbatimi i këtij plani, Edi Rama foli me shifra.
“Nëse përmbushim kriteret për zonën e përbashkët të pagesave do ulim tarifat për qytetarët që sjellin para në Shqipëri, mund të kursejmë afro gjysmë miliardë Euro nga xhepat e njerëzve. Nëse ulim vetëm me 3 orë kohën e pritjes së kamionëve në kufi kursejmë 26 milionë Euro”.
Edhe në Tiranë, Komisioneri Varhejli ripërsëriti të njëjtin kusht ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, atë të përmbushjes së reformave.
“Në rast se ju pranoni të gjitha rregullat e BE-së mund të bëheni pjesë e tregut përpara se ju të bëheni shtet anëtar”.
Duke e cilësuar ambicioz planin për rritjen ekonomike të BE-së për Ballkanin Perëndimor, Komisioneri Varhejli krahas dyfishimit të të ardhurave që pritet të sjellë ky fond apeloi për një tjetër grant nga ana e institucioneve financiare.
“Është plan ambicioz, do të dyfishojë ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor për 10 vitet ardhshme. Një dëshirë që e shpreh për institucionet financiare, përveç 30 miliardë Eurove kërkojmë të na jepni edhe 6 miliardë Euro. 19 % që do të ofrohen, do të merren deri në 2027”.
Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Gert Jan Koopman, u la një muaj afat vendeve të rajonit për mbylljen e reformave, me qëllim që nismat të jënë tërësisht funksionale.
“Cilësia e ligjeve që duhet të miratoni duhet të jetë e lartë. Na keni krah jush, por ritmi duhet i lartë që fondet të hyjnë në maj para pushimit të Verës”.
Pas samitit siç është kthyer në traditë, liderët e vendeve të rajonit bënë edhe ritualin duke pozuar në një foto familjare.
Diskutime rreth kësaj post