Tirana ka mirëpritur mbledhjen e 6 të konstituencës mes përfaqësuesve të lartë të Fondit Monetar Ndërkombëtar e Bankës Botërore. Në fokus të takimit ishin sfidat aktuale me të cilat po përballen ekonomitë botërore. Në fjalën e tij, Kryeministri Rama vlerësoi performancën në rritje të ekonomisë, fokusi i së cilës mbetet turizmi.
“Sa i takon turizmit vitin e kaluar pas Katarit dhe Arabisë Saudite, pra të jesh i treti pa Kupën e Botës e pa Mekën e pa qindra miliarda investime është një arritje mjaft e madhe dhe një nxitje për të ecur përpara. Po kështu, ndihemi të inkurajuar nga shifrat e punësimit dhe të papunësisë edhe pse sfida e madhe mbetet rritja e mëtejshme e pagave në mënyrë që të mundemi të frenojmë konkurrencën gjithmonë e më të ashpër”.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko u shpreh optimist se persepktiva për të ardhmen e ekonomisë shqiptare mbetet pozitive, teksa renditi masat që duhet të ndërmerren për pasiguritë.
“Ne duhet të sigurojmë stabilitet ekonomik e financiar, të krijojmë ekonomi më eficiente, novatore e gjithëpërfshirëse, si dhe të investojmë në revolucionin e gjelbër dhe atë dixhital”.
Drejtori ekzekutiv i Bankës Botërore Matteo Bugamelli, u shpreh se mbështetja me financime për Shqipërinë nuk do të mungojë edhe përgjatë këtij viti.
“Shqipëria është një vend me të ardhura mesatare dhe si i tillë ne do të vazhdojmë të kemi dialog për prioritet e financimit dhe shpejtësinë e tyre, vitin e kaluar ne akorduam 400 milionë Euro financime dhe presim një rritje të tyre pasi të shkëmbejmë dhe informacionin e nevojshëm”.
Shqipëria është anëtare e Grupit të Bankës Botërore që prej vitit 1991. Ajo është në të njëjtën konstituencë me Italinë, Greqinë, Portugalinë, Maltën, San Marinon dhe Timorin Lindor.
Diskutime rreth kësaj post