Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës “Nënë Tereza” ka shënuar një rekord historik. Për herë të parë në historinë e aeroportit, sipas shifrave zyrtare të muajit që lamë pas, Tirana rrëzoi nga “froni” Beogradin duke e kaluar me numrin e pasagjerëve. Edhe pse në mediat e huaja raportohet se Aeroporti i Beogradit ka parë janarin më të ngarkuar në histori, aeroporti i Tiranës ka shënuar shifra të frikshme. Aeroporti Nikola Tesla i Beogradit ka pritur 569.572 pasagjerë gjatë muajit janar, ndërsa Tirana 620 000 pasagjer. Aeroporti në kryeqytetin serb ka qenë numri një i padiskutueshëm në Ballkan gjatë dekadave të fundit, por situata tashmë ka ndryshuar dhe Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës “Nënë Tereza” po ngjitet në majë.
Rekord historik me 7 milionë pasagjerë gjatë 2023
Aeroporti i Tiranës nisi t’i japë provat si më i miri që vitin e kaluar, pasi priti 7 milionë pasagjerë gjatë 2023, duke shënuar shifrën më të lart historike që ky aeroport ka patur brenda një viti. Ky është një sukses që i shtohet arritjeve të vazhdueshme të aeroportit, duke nënvizuar edhe rolin e tij në sektorin e aviocionit në Shqipëri. Rritja e vazhdueshme e numrit të pasagjerëve pasqyron suksesin e nismave strategjike të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës që synojnë rritjen e fluturimeve lidhëse dhe aksesit.
“Jemi krenarë për dyfishimin e pasagjerëve në TIA, në krahasim me vitin 2019 dhe me rritjen prej 35% në krahasim me vitin 2022. Kjo falë të gjitha linjave ajrore, por sigurisht, falë edhe shtimit të linjave low cost”, deklaroi pak javë më parë z. Piervittorio Farabbi, Drejtori Operativ i këtij aeroporti.
Duke vazhduar rolin e tij si një portë jetike që lidh Shqipërinë me destinacionet kryesore globale, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës “Nënë Tereza” mbetet i palëkundur në angazhimin e tij për të ofruar shërbime më të mira, për të nxitur turizmin dhe për të kontribuar ndjeshëm në zhvillimin e përgjithshëm të rajonit. Gjithashtu, aeroporti e sheh veten të përgatitur mirë për fluksin e ardhshëm të pasagjerëve, me punonjës shtesë, pajisje të reja të trajtimit dhe zgjerimit të pikave elektronike të kontrollit kufitar do të përshpejtojnë përpunimin e pasagjerëve. Çdo gjë është gati dhe sinjali i këtij numri të frikshëm turistësh në vendin tonë vetëm për janarin, tregon se rekordi i turistëve vitin e kaluar mund të thyhet dhe Aeroporti i Tiranës po tregon se është gati për çdo sfidë.
Diskutime rreth kësaj post