Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka theksuar përpjekjet e fuqishme të Türkiyes për të tërhequr vëmendjen në mbarë botën ndaj keqbërjeve të Izraelit në mbi katër muajt e konfliktit të Gazës.
“Ne po bëjmë përpjekje intensive për të siguruar që abuzimet e të drejtave të njeriut dhe krimet e luftës së Izraelit të mos anashkalohen në skenën ndërkombëtare”, tha presidenti Erdogan në adresimin e tij përmes video-mesazhit në Asamblenë e 5-të të Përgjithshme të Forumit Rinor të Bashkëpunimit Islamik.
Duke theksuar rëndësinë e veprimit kolektiv diplomatik midis vendeve islamike në përgjigje të shtypjes së Izraelit në Gaza, Erdogan përmendi përpjekjet e vazhdueshme diplomatike për të inkurajuar përgjigjet e përbashkëta dhe solidaritetin.
Përveç kësaj, presidenti turk ripohoi angazhimin e Turqisë për të mbështetur krijimin e një shteti të pavarur palestinez sovran të njohur në mbarë botën.
“Ne do të vazhdojmë luftën tonë derisa të themelohet një shtet palestinez i pavarur, territorialisht integral, bazuar në kufijtë e vitit 1967 me Kudsin si kryeqytet”, tha ai.
Izraeli nisi një ofensivë vdekjeprurëse në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar të Hamasit më 7 tetor, duke vrarë të paktën 27.585 palestinezë dhe duke plagosur rreth 66.700 të tjerë.
Sipas OKB-së, ofensiva izraelite ka shkaktuar zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës në mes të mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.
Muajin e kaluar, një vendim i përkohshëm nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë i tha Izraelit të ndalojë abuzimet e tij, por shumica e vëzhguesve ndërkombëtar thonë se ai ka shkelur vendimin.
Diskutime rreth kësaj post