Analisti Ben Andoni duke folur në një intervistë televizive, tha që Kodi Zgjedhor është “Thembra e Akilit” për dy partitë kryesore, ku sipas tij të dyja s’janë të interesuara që ta çojnë deri në fund.
Sipas Andonit nëse do kishte vullnet nga dy partitë kryesore edhe me Kodin Zgjedhor të vitit 1992 mund të kishim sot zgjedhje të mira.
Andoni vuri në dukje se nuk mund të konsiderohesh një vend demokratik, nëse pret ndërhyrjen e ndërkombëtarëve për zgjedhjet.
“Nuk di çfarë mund të them më për Parlamentin, nuk e di pse duhet të vazhdojë më Parlamenti kështu. Në momentin që ti s’ke një opozitë që të shprehet realisht, qoftë nga mazhoranca të dëgjojmë zbërthimet për draftet, unë s’e kuptoj më për çfarë mblidhet Parlamenti.
Më duket sikur znj.Nikolla s’e mban dot më Parlamentin, opozita s’do më Parlament normal, ashtu siç mazhoranca ka hapur shumë hapësirë për të mos bërë asgjë në vendin tonë. Kodi Zgjedhor është Thembra e Akilit për dy partitë kryesore, dhe të dyja s’do jenë fare të interesuara që ta çojnë deri në fund, dhe do axhustohet në momentin e fundit për t’u futur prapë në zgjedhje me të njëjtën skemë si në zgjedhjet e kaluara, pa koalicione e të tjera.
Një komision hetimor në Parlament, nëse axhustohet mirë, nëse sillen argumente të mira tregon pjekurinë e një force, së pari nga mazhoranca dhe së dyti nga opozita që duket se është pajtuar me këtë lloj situate.
Të gjitha marrëveshjet e dy partive kryesore në 8 vitet e fundit, gati 80 për qind janë bërë me negociim të të huajve. S’mund të futen ndërkombëtarët për ligjin zgjedhor në një vend, sepse nëse s’di të bësh zgjedhje, përse thua që jam vend demokratik. Edhe sikur me Kodin Zgjedhor të 92-shit të votohej, vetëm të kishte vullnet nga dy partitë kryesore, atëherë zgjedhjet do bëheshin të mira. Të gjitha axhustimet që kërkohen janë për t’i hedhur hi syve të publikut.
Nga marsi normalisht duhet të kemi lajme. Deri atëherë gjykata do japë një vendim për fatin e PD. Është e habitshme si ka mundësi që Gjykata e Lartë ta kthejë në Shkallën e Parë, kur është Gjykatë Supreme dhe mund të merrte vendim tha t’a kursente këtë zvarritje. Nuk besoj se 20 shkurti do sjellë diçka të re.
Publiku është jashtëzakonisht i lodhur me dy partitë e mëdha, me korrupsionin e PS dhe paqartësinë e PD-së. Ti nuk dëgjon një artikulim të saktë, ku do shkojë PD-ja. PD pret inercinë. Shqipëria është në deficit demokratik, por forca që është mëtuese pret gjithmonë bjerrjen e partisë në pushtet, ndërkohë që s’ka mbështetje në bazë dhe frika më e madhe është që s’kanë struktura”, tha Andoni.
Diskutime rreth kësaj post