Bukuritë e Shqipërisë nuk po bëjnë të dynden vetëm turistë nga bota mbarë, por po frymëzojnë edhe industrinë e modës. Shtëpia Gjermane e Modës “A kind of Guise” ka zgjedhur motive nga kultura dhe natyra e rivierës së Shqipërisë për t’i mishëruar në koleksionin e ri të veshjeve për meshkuj Pranverë/Verë 2024.
Koleksioni quhet “Almafi“ dhe përmban veshje nga koka te këmbët, duke nisur nga një kapele verore e kadifenjtë e quajtur “Hila“ me motive trëndafilësh me variacione të ngjyrave të tokës.
“Xhaketa Jetmir“ me të njëjtat motive që mban edhe një emër tipik shqiptar, “Këmisha Gusto“, ku dominon e bardha dhe motivet e luleve me variacione të blusë dhe ngjyrave të Rivierës Shqiptare, apo “Kostumi Shinxhi“ ngjyrë ulliri.
Këtij shalli ku dominon jeshilja e errët dhe motivet e luleve të trojeve shqiptare ia kanë vënë emrin “Bedri”, emër po ashtu i përhapur në vendin tonë. Shalli është pjesa e koleksionit që kushton më pak me 85 Euro.
Produkti më i shtrenjtë është “Xhaketa e lëkurës, Valon Vegan“, një risi në industrinë tekstile pasi përbëhen nga një material me lëndë të para vegjetale, që shitet 620 Euro.
Diskutime rreth kësaj post