Shqipëria u vlerësua në vitin 2023, me një pikë më shumë se vitin e mëparshëm në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, duke shënuar 37 pikë dhe duke u radhitur në vendin e 98-të mes 180 vendeve, sipas organizatës Transparency International.
Të martën kjo organizatë publikoi Indeksin e përvitshëm të Perceptimit të Korrupsionit, si dhe raportin për gjendjen e korrupsionit në botë.
Transparency International, përdor një sistem llogaritjeje të indeksit nga zero në 100 pikë, ku zero është niveli më i lartë i korrupsionit dhe 100 pikë do të thotë mungesë korrupsioni.
Në raport thuhet se Shqipëria po shënon përmirësim në drejtim të hetimit dhe ndjekjes penale të korrupsionit në nivel të lartë, duke iu referuar punës së SPAK-ut.
“Por përparimi i mëtejshëm në këtë drejtim varet nga zbatimi i mëtejshëm i legjislacionit të drejtësisë penale dhe sigurimi i mbikëqyrjes efektive ndaj degës ekzekutive”, thuhet në raport.
Transparency International, thotë se vendimi për krijimin e një ministrie të re ngarkuar me luftën kundër korrupsionit, shoqërohet me pritshmërinë për mekanizma efektivë të integritetit.
“Megjithatë, kjo nuk mund të arrihet nëse parlamenti nuk ka autonomi më të fortë dhe nëse organizatat e shoqërisë civile dhe mediat nuk mund të kryejnë rolin e tyre mbikëqyrës pa pengesa nga autoritetet”, thuhet më tej në raportin e Transparency International.
Këtë vit, sipas organizatës shumica e vendeve kanë bërë pak ose aspak përparim në luftën kundër korrupsionit në sektorin publik.
Në vitin 2022, Shqipëria ishte radhitur në vendin e 101. Që nga viti 2012, Shqipëria është përmirësuar me 4 pikë.
Transparency International, thotë se bota po përjeton një rënie në funksionimin e sistemeve të drejtësisë dhe vendet që kanë sisteme të dobëta drejtësie, kanë nivele të larta korrupsioni.
“Korrupsioni do të vazhdojë të lulëzojë derisa sistemet e drejtësisë të mund të ndëshkojnë shkeljet dhe të mbajnë nën mbikqyrje qeveritë. Kur drejtësia blihet ose ndaj saj ndërhyhet politikisht, janë njerëzit që vuajnë pasojat. Udhëheqësit duhet të investojnë plotësisht tek insitutcionet që respektojnë ligjin dhe luftojnë korrupsionin dhe të garantojnë pavarësinë e tyre. Është koha për t’i dhënë fund mosndëshkimit për korrupsionin”, shprehet në publikimin e raportit kreu i Transparency International, François Valérian.
Danimarka kryeson indeksin për nivelin më të ulët të korrupsionit për të gjashtin vit radhazi me 90 pikë, pasuar nga Finlanda dhe Zelanda e Re, me 87 dhe 85 pikë respektivisht.
Somalia me 11 pikë, Venezuela me 13 pikë, Siria me 13 pikë, Sudani i Jugut me 13 pikë dhe Jemeni me 16 pikë zënë vendet e fundit në Indeks.
Rajoni i Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore, ku bën pjesë Shqipëria ka rezultate shqetësuese me një mesatare prej 35 pikësh nga maksimumi prej 100 pikësh, i dyti me rezultatin më të dobët pas Afrikës Nën Sahariane.
“Hapat mbrapa në demokraci dhe dobësimi i sistemeve të drejtësisë, që janë mjaft të përhapura, po minojnë kontrollin ndaj korrupsionit, ndërsa institucionet si policia, prokuroria dhe gjykatat shpesh nuk janë në gjendje të hetojnë dhe ndëshkojë ata që abuzojnë me pushtetin”, thuhet në raport.
Mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria radhitet më poshtë sesa Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, ndërsa ka respektivisht një pikë më shumë se Serbia dhe dy më shumë se Bosnja.
Në këtë nëngrup bëjnë pjesë Ukraina dhe Rusia dhe raporti thotë se lufta dhe inflacioni kanë rritur nivelet e varfërisë dhe për këtë arsye është thelbësore që udhëheqësit të veprojnë për të mirën e përbashkët.
“E megjithatë ka shembuj të panumërt të zyrtarëve publikë që ndikojnë sistematikisht mbi politikat dhe institucionet për të rritur fuqinë e tyre dhe vjedhin fondet publike. Udhëheqësit duhet urgjentisht të forcojnë sundimin e ligjit, të drejtat dhe demokracinë, por në fakt shumë prej tyre po i sulmojnë sistematikisht”, thotë raporti.
“Në të gjithë rajonin, shumë qeveri kontrollojnë gjyqësorin dhe institucionet e zbatimit të ligjit ruajnë pandëshkueshmërinë për korrupsionin për ata në qarqet e tyre të privilegjuara”, thotë Transparency International, duke theksuar se për Gjeorgjinë dhe vendet në në Ballkanin Perëndimor, “këto praktika të vazhdueshme janë pengesa për anëtarësimin në Bashkimin Evropian”.thotë Transparency International.
Diskutime rreth kësaj post