I lindur më 15 prill të vitit 1962 në Forinë të Gostivarit. Talat Xhaferi shkollën fillore e kreu në fshatin Çegran, ndërsa atë të mesmen në Beograd, ku kreu studimet e akademisë ushtarake ndërsa ishte edhe pjesë e Armatës Popullore Jugosllave, e më pas edhe të asaj të Maqedonisë. Specializimin e vazhdoi në Akademinë Ushtarake “Mihailo Apostolski” në Shkup. Nga viti 1985 e deri në vitin 1991, ishte oficer i Armatës Popullore Jugosllave ndërsa nga viti 1992 deri në vitin 2001 edhe oficer i Armatës së Republikës së Maqedonisë.
Gjatë kryengritjes së vitit 2001 në Maqedoni, Xhaferi edhe më tej ishte oficer i lartë në ARM, ku komandonte trupat në kazermën e Tetovës. Pak ditë pas masakrës së Vicës më 28 prill 2001, Xhaferi ndërroi anë dhe u bashkua me Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare. Xhaferi kështu u bë komandant i Brigadës 116 dhe mori nofkën “Komandant Forina”. Më pas Xhaferi u amnistua pas Marrëveshjes së Ohrit.
Për herë të parë Xhaferi në vitin 2002 u zgjodh deputet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim. Në periudhën 2004 – 2006, kreu funksionin zëvendës ministër i mbrojtjes. Nga viti 2008 e deri në vitin 2013, Xhaferi përsëri vepronte si deputet në Kuvend. Gjatë vitit 2012, Xhaferi mbahet mend për fjalimet maratonë të cilat i përdorte si një taktikë për të bllokuar miratimin e një ligji mbi veteranët që do të kishin dhënë përfitime për veteranët maqedonas të luftës, por duke lënë jashtë ish luftëtarët e UÇK-së. Ai e bllokoi draftin në nivel të komisionit duke lexuar poezi, duke cituar literaturë të huaj dhe raporte për Maqedoninë e Veriut, duke zhuritur ose qëndruar në heshtje, me qëllim për të kaluar koha. Atë kohë, Xhaferi pati deklaruar se “pa pjesëtarët e UÇK-së, branitellat nuk kalojnë!”
Në vitin 2013 Talat Xhaferi mori postin Ministër i Mbrojtjes, veçanërisht kur me Qeverinë udhëhiqte ish kryeministri Nikolla Gruevski. Emërimi i Xhaferit si ministër i mbrojtjes, shkaktoi protesta nga ana e maqedonasve. Protestat ishin të ashpra, sa që përfunduan të lënduar disa policë, u dëmtuan dy automjete policore, u dogj një autobus i transportit publik si dhe u dëmtuan shumë objekte private.
27 prilli i vitit 2017 do të jetë datë që do të mbajnë mend si Talat Xhaferi, deputetët e atëhershëm të Kuvendit, gazetarët por edhe i gjithë populli i Maqedonisë së Veriut. Pas arritjes së marrëveshjes për koalicion mes LSDM-së dhe BDI-së, pavarësisht se presidenti i atëhershëm Gjorge Ivanov ende nuk i’a kishte dhënë mandatin Zoran Zaevit, vendosën që më 27 prill të zgjedhin kryetar kuvendi Talat Xhaferin, dhe atë, nën një atmosferë të tensionuar.
“Me 61 vota për, konstatoj se kolegu ynë z.Talat Xhaferi është zgjedhur si kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë”, tha Goran Miskovski.
“Ju drejtohem qytetarëve të Republikës së Maqedonisë. Të nderuar qytetarë, edhe pse këto rrethana në këtë moment historik kur bëhet zgjedhja e kryetarit të parë shqiptarë në RM nga mëvetësimi i saj, të vetëdijshëm për përgjegjësinë historike që kemi, betohemi që puna parësore në Parlament do të jetë që të krijohen institucione përkatëse të cilat do të funksionojnë në bazë të ligjit dhe kushtetutës dhe si kryetar i zgjedhur në këto rrethana, në asnjë moment nuk do të lejoj që të bëhet uzurpimi i institucioneve këtu në vend”, u shpreh Talat Xhaferi.
Xhaferi funksionin kryetar Kuvendi e kreu për gjithsej shtatë vite me radhë, nga prilli i 2017tës e deri në janar të këtij viti.
E nga sot, Talat Xhaferi do të jetë kryeministri i parë shqiptarë në histori të Maqedonisë së Veriut. Në përputhje me marrëveshjen mes dy partnerëve të koalicionit LSDM-BDI, Talat Xhaferi në 100 ditët e fundit të kësaj qeverie, do të zëvendësojë kryeministrin e deritanishëm, Dimitar Kovaçevski. Mandatin për formim të Qeverisë e mori para dy ditëve nga presidenti i vendit, Stevo Pendarovski.
“Me kënaqësi dhe përgjegjësi të plotë, sot nga presidenti i shtetit pranoj mandatin për formim të përbërjes së re teknike të Qeverisë me premtim se i gjithë procesi do të zhvillohet në bazë ligjeve dhe kushetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, me shpresë që përbërja e re e Qeverisë do të jetë konform përcaktimeve ligjore me përgjegjësitë dhe detyrat që dalin nga themelimi i saj”, shtoi Xhaferi.
Talat Xhaferi postin e kryeministrit do ta kryejë deri në mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta parlamentare të cilat janë paraparë më 8 maj, respektivisht, deri në ditën kur do të formohet zgjedhja e përbërjes së re qeveritare.
Diskutime rreth kësaj post