Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), ka njoftuar të premten se ka përfunduar vlerësimin për veprimet e policisë lidhur me vrasjen e 18-vjeçarit në Podujevë, Lulzim Fejzullahu, pas ngritjes së disa çështjeve të cilat janë paraqitur si shqetësim në opinion (sidomos rreth raportimeve fillestare nga Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh për këtë incident).
Sipas IPK-së, nga shqyrtimi i dosjes së rastit, video incizimet e kamerave të sigurisë si dhe shkresat tjera të lëndës nga Stacioni Policor Podujevë, pasqyrohet se koha e reagimit të njësive policore dhe emergjencës së qytetit nga momenti i thirrjes deri në vendin e ngjarjes ka qenë i shpejtë.
Laporta e ‘ëndërron’ Kloppin pas largimit nga LiverpooliVodhën traktor, televizor, kompjuter e dru, arrestohen katër të dyshuar në PejëNdonëse fiton miliona nga muzika, la vetëm pesë dollarë bakshish – Harry Styles k…Gjendet pa shenja jete një 54-vjeçare në PrizrenJovan Mitreski zgjidhet kryetar i ri i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut
“Rreth 3 deri 4 minuta, nga pranimi i informatës deri në arritjen në vend të ngjarjes të njësisë policore, si dhe rreth 9 minuta i arritjes së ekipit të emergjencës mjekësore të qytetit”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, bëhet e ditur se veprimet hetimore në teren, ruajtja e vendit të ngjarjes, trajtimi i viktimës, sigurimi i video incizimeve dhe njoftimi i njësive relevante dhe prokurorisë, është bërë në kohë dhe sipas Kodit të Procedurës Penale dhe procedurave parapara policore.
“Arrestimi, intervistimi, dërgimi në qendrën e mbajtjes, sigurimi i zyrtarit Qendrës për punë sociale, janë administruar sipas procedurës të paraparë me Kodin e Procedurës Penale dhe procedurat policore. Përpilimi i dosjes së rastit nga zyrtarët e Stacionit Policor të Podujevës është i kompletuar dhe pa mangësi”, thuhet në komunikatën për media.
IPK-ja tutje ka bërë të ditur se nga analizimi dhe shqyrtimi i shkresave të lëndës që lidhen me aktivitetin hetimor të Sektorit Rajonal të Hetimeve (video incizimeve, raporteve për veprimet hetimore, raporteve forenzike, komunikimi me prokurorinë dhe shkresave tjera), ka vlerësuar se të gjitha veprimet e lartcekura janë ndërmarrë sipas afateve procedurale dhe përmbajnë të gjitha elementet e kërkuara sipas Kodit të Procedurës Penale.
“IPK ka verifikuar nëse në incidentin fillestar i cili ka ndodhur më 13.01.2024 tek lokali (berber) në mes të viktimës L. F dhe njërit nga të dyshuarit ka pasur prezent ndonjë zyrtar policor. Nga shqyrtimi i deklaratave të dëshmitarëve dhe dokumenteve, kuptohet se në ngjarjen e cila ka ndodhur në lokal në kohën kur ka ndodhur ngjarja nuk ka qenë prezent ndonjë zyrtar policor, por veç personave tjerë ka qenë një zyrtar i Shërbimit Korrektues, i cili është identifikuar nga dëshmitarët e intervistuar me autorizim të Prokurorit nga Njësia e Hetimeve Rajonale të policisë”.
IPK-ja ka njoftuar gjithashtu se ka krahasuar dhe analizuar raportet e shpejta që janë dërguar nga Stacioni Policor Podujevë në Qendrën Operative Komunikuese Rajonale në Prishtinë dhe raportin e shpejtë të cilin kjo qendër e ka përcjellë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.
Nga analiza dhe krahasimi rezulton se këto raporte nuk kanë përmbajtje të njëjtë. IPK ka gjetur se dosja hetimore e rastit përmban raportin e shpejt të përpiluar nga Stacioni Policor Podujevë, raport i cili ka përshkrimin e ngjarjes sipas fakteve dhe provave të gjetura në vendin e ngjarjes.
“Raporti i parë i publikuar nga Qendra Operative Koordinuese dhe Komunikues se DPP, (raporti i cili përmban informacionin se viktima është i therur me thikë), është ndryshuar nga zyrtari i Qendrës Operative Komunikuese Rajonale Prishtinë. Ky ndryshim është bërë bazuar në komunikimin që zyrtari i kësaj Qendre ka pasur me Stacionin Policor në Podujevë, të cilët këto informacione i kanë dhënë bazuar në informatat e para nga zyrtarët policorë që kanë dalë në vendin e ngjarjes ku është gjetur thika në afërsi të personit të lënduar”.
“I njëjti raport është dorëzuar në ditën e njëjtë në Prokurori së bashku me Kallëzimin penal, ndërsa raporti i ndryshuar nga zyrtari i Qendrës Operative Komunikuese Rajonale Prishtinë është përcjellë vetëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë në Prishtinë (dhe i njëjti raport është publikuar në raportin 24 orësh nga PK-ja më 15.01.2024)”, thuhet më tej.
Përkundër ndryshimit të këtij raporti i cili ka krijuar konfuzion në publik, pas analizimit të të gjithë dokumentacionit dhe intervistave të zhvilluara, IPK vlerëson se ky lëshim nuk ka ndikuar në integritetin e hetimit dhe kualifikimin fillestar të rastit, pasi që dosja hetimore është dorëzuar në prokurori brenda ditës së incidentit para se të dërgohet raporti i shpejtë në Drejtorinë e Përgjithshme dhe e njëjta përmban të gjitha informacionet e sakta sipas video-incizimeve të vendit të ngjarjes (disa ditë para publikimit të video-incizimit të incidentit në medie).
“Megjithatë, duke vlerësuar ndjeshmërinë e rastit dhe paqartësitë që ka krijuar ky lëshim në publikimin e raportit 24 orësh, IPK ka iniciuar procedurë disiplinore ndaj zyrtarit përgjegjës dhe do të procedohet në Drejtorinë përgjegjëse për hetime disiplinore brenda Policisë së Kosovës”, bëhet e ditur në njoftim.
Krahas kësaj, IPK-ja ka njoftuar se do të iniciojë një inspektim për të analizuar dhe vlerësuar mënyrën e raportimit dhe komunikimit si dhe hartimin e raporteve të shpejta në të gjitha nivelet brenda Policisë së Kosovës.
Realizimi i këtij inspektimi thuhet se bëhet me qëllim për të nxjerrë në pah dobësitë eventuale të raportimit dhe komunikimit dhe për të dhënë rekomandime drejt përmirësimit së performancës policore në këtë fushë.
Diskutime rreth kësaj post