E dashuron jetën, promovon dhe reklamon vlerat e në fund ka një mesazh të ndjerë për të rinjtë, veçanërisht për ata të “Tik Tok”. Prej kohësh, ka zgjedhur të qëndrojë larg ekranit, por asesi s’mund të humbë zhvillimet e përditshme. Si juriste ka vendosur të japë kontributin e vet në shtetin shqiptar. Të gjithë e mbajnë mend si “Sofie e Zonës së Lirë”. Megjithatë e shkuara mbetet e tillë, kur në jetë hapet një faqe e re.
Xheni Brahaj, vajza simpatike që numëron qindra mijëra ndjekësa në rrjetet sociale, rikthehet sërish. Por, këtë herë përmes një interviste, ku zbulon detaje nga jeta dhe projektet e saj. Sot punon në një institucion ligjzbatues. Krahas punës së përditshme, është përfshirë edhe në një projekt kinematografik.
Është e matur në përgjigjet që jep duke u kujdesur të jenë sa më të kuruara. Nuk është më ajo vajza e hedhur që nuk pyeste për impaktin në publik, përkundrazi. “Peshon” çdo fjalë për t’i respektuar ata, teksa ndalet duke folur për ndikimin e rrjeteve sociale në shoqëri e te fëmijët në veçanti. Në fund e mbyll me një mesazh për ta.
– Dikur shumë e përfolur nëpër media. Tashmë duket se keni zgjedhur të mbani një profil më të ulët duke u distancuar nga lajmet e shoëbizzit. Çfarë ka ndodhur me ju?
Njeriu gjatë jetës kalon disa periudha tranzicioni të cilat të bëjnë të ndryshosh profil dhe mënyrën se si i mendon gjërat, si dhe ato që do të servirin më mirë të ardhmen time. Në momentin kur unë jam bërë pjesë e televizionit shqiptar kam qenë në një moshë shumë të vogël. Gjërat erdhën spontanisht. Mundësitë dhe punët u shfaqën nga “hiçi” dhe jo të kërkuara me domosdoshmëri nga unë. Pavarësisht se e kam shijuar pa masë atë periudhë, gjithmonë në mendjen time ka pasur plane të tjera që kanë qenë në hije për publikun, por jo për atë që zemra ime ka dashur ndoshta që fëmijë.
– Me çfarë po merresh aktualisht?
Kam zgjedhur të jetoj në Shqipëri dhe me profesionin që kam, të punoj në një institucion ligjzbatues.
– A jeni larguar plotësisht nga televizioni? Pse vendosët t’i shërbenit vendit tuaj si juriste, në një kohët kur vitet e fundit kemi parë që përfitimet nga rrjetet sociale janë shumë më shumë të mëdha në aspektin financiar?
Dhe pse mund të them që jam larguar paksa, por jo tërësisht. Që në fëmijërinë time kam pasur dëshira të tjera dhe tashmë plane, që për publikun ndoshta kanë qenë në hije. Nuk e di si mund të tingëllojë kjo, e mund të thonë po kjo çfarë bën konkretisht?! Por, unë mendoj që njeriu në jetë mund të shkëlqejë edhe në disa fusha njëkohësisht. Unë nuk kam vetëm një punë ëndrrash. Unë ëndërroj të shkëlqej në disa punë.
– Rrjetet sociale prej vitesh janë shndërruar në trend në gjithë botën. Pse nuk iu shohim më si Xheni i dikurshëm, që nuk linte gjë pa postuar?
Kam zgjedhur të distancohem nga rrjetet sociale sepse po shoh që promovohen antivlera. Kam vendos të mos jem më pjesë e këtij rrjeti mediatik dhe pse ndoshta mund të jetë fitimprurës. Nuk më shërben për të ardhmen time, atje ku e shoh veten pas 5 viteve. Jam tepër e kujdesshme në promovimet e pakta që bëj në Instagramin tim sepse në asnjë moment nuk dua të zhgënjej veten dhe publikun tim që më ka mbështetur ndër vite.
– Ju kemi parë të bëni disa postime të pakta nëpër xhirime. A jeni pjesë e ndonjë filmi?
Ah, po! Ky është një projekt që po punoj për rreth 1 vit dhe që e dua pafund. Do të rikthehem për herë të dytë si aktore në film, por nga aksioni, në zhaner komedi këtë herë. Ndihem e nderuar që kam luajtur përkrah të disa aktorëve ikonikë të teatrit dhe kinematografisë shqiptare.
– Një mesazh për të rinjtë e rrjeteve sociale, veçanërisht për ata të “Tik-Tok”?
Ajo që unë dua të them është më shumë një mesazh, ndoshta për të rinjtë dhe adoleshentët shqiptarë. Unë vetë kam një motër të vogël, minorene dhe e këshilloj shpeshherë. Është meraku im më i madh se si ajo po e kalon ditën. Shpesh jam kontrolluese të kontentit që ajo sheh në rrjetet sociale. Dua t’iu them këtyre të rinjve dhe të rejave: “Vlerat më të mëdha janë njerëzit që duan familjen, veten, shokët, miqtë, njerëzit që lexojnë, shkollohen dhe ndihmojnë shokun e shoqen. Vlerat nuk janë te bullizmi që ndoshta hasin nëpër shkolla dhe “edukohen” në “Tik Tok”. Duajeni njëri-tjetrin, investoni te vetja në arsim, mos e mbroni dhunën, denoncojeni atë dhe falni sa më shumë dashuri. Interneti, telefoni dhe rrobat e shtrenjta nuk e bëjnë njeriun! Vlerat janë aty në brendësi të zemrës tuaj. Mos ngurroni të shfaqni humanizmin në versionin tuaj më të mirë. /Retin TOKA
Diskutime rreth kësaj post