Teksa ndodhet në “arrest shtëpie”, ish-kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur të gjithë mbështetësit e tij që janë mbledhur poshtë banesës së tij për 3 javë me radhë në atë që ai e quan “Rruga e Shpresës”.
Gjatë fjalës së tij, ish-kryeministri Berisha ka nderuar Ibrahim Rugovën, të cilin e ka quajtur “arkitekt i Kosovës së pavarur”. Berisha ka shtuar se shqiptarët nuk kanë pasur asgjë më të fuqishme në histori se shpatën e Skëndërbeut dhe penën e Ibrahim Rugovës.
Sali Berisha: Mirënjohje të pakufishme, për secilin prej jush, për guximin, vendosmërinë tuaj në këtë betejë epike për Shqipërinë dhe shqiptarët. Me qëndresën, rezistencën tuaj, ju frymëzoni dhe do të frymëzoni çdo ditë, çdo shqiptar që aspiron për lirinë e tij. Çdo shqiptar që konsideron thelbin e qenies së tij, të lirisë së tij, dinjitetin njerëzor. U bënë tre javë që ju çdo natë, në çdo kohë, në muajin më të idhët të vitit për motin, mblidheni në ‘rrugën e Shpresës’ dhe e shndërruat atë jo vetëm të shpresës, por rrugën e ndriçimit të mendjes dhe zemrave të shqiptarëve, rrugën e frymëzimit dhe inkurajimit të shqiptarëve në këtë betejë, kundër të keqes më të madhe që ka pllakosur Shqipërinë dhe shqiptarët pas Enver Hoxhës dhe që quhet, Edi Rama. Sonte në fjalët tuaja, trajtuar dhe sollët problemet më të mëdha. Këtë ditë, këtë natë një nderim i përket arkitektit të Kosovës së pavarur, burrit që e bëri çdo shqiptar të lirë, Ibrahim Rugovës. Ibrahim Rugova është luftëtari më i fuqishëm, më legjendar, personaliteti më i madh që nga koha e Skënderbeut i Kombit shqiptar. Është gjeniu i penës politike. Askush në historinë e këtij kombi nuk ngjet më shumë me Skënderbeun legjendar, se sa Ibrahim Rugova. Shpata, mendja, diplomacia e Skënderbeut mahniti botën. Shpata, mendja, diplomacia e Skënderbeut lartësoi shqiptarët në zenitin e kohërave. Ibrahim Rugova, pena, mendja dhe diplomacia e tij i bëri shqiptarët si komb të lirë, pasi gjysma e këtij kombi ndodhej në pushtim. Asgjë në histori shqiptarët nuk kanë patur më të fuqishme se shpatën e Skënderbeut dhe penën e Ibrahim Rugovës.
Gjatë fjalës së tij, ish-kryeministri Berisha ka deklaruar se sipas tij, Rama dhe Vuçiç nuk ja falin kurrë Ibrahim Rugovës projektin e shtetit të pavarur të Kosovës.
Sali Berisha: “Partia Demokratike, fill pas themelimit të saj do të shndërrohej në mbështetjen më të fuqishme të presidenti Rugova dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Do të shndërrohej në promotor i pazëvendësueshëm i përpjekjeve të shqiptarëve në Kosovë për liri dhe dinjitet kombëtar. Dua të sjell në mendjen tuaj, se armiqtë më të egër Ibrahim Rugova i kishte në Beograd dhe në Tiranë. Në vizitën e tij të parë në Shqipëri ai do të ju deklaronte shqiptarëve dhe botës se, erdha me ftesë të Sali Berishës. Në një solidaritet të madh me përpjekjet e demokratëve për të përmbysur diktaturën, refuzoi në mënyrë kategorike protokollin e diktaturës për të vendosur lule të varri i diktatorit. Cili ishte qëndrimi. Diktatura dërgoi skuadrën e pushkatimit për të ekzekutuar Rugovën për aktin e tij. Cili është qëndrimi i bastardit të bllokmenëve hoxhistë të Edi Ramës. I njëjti me Vuçiçin, armiqësor, sepse Aleksandër Vuçiç dhe Edi Rama nuk ja falin kurrë Ibrahim Rugovës projektin e shtetit të pavarur të Kosovës. Ndaj dhe them dhe njëherë, ky Skënderbe me penë, mendje dhe diplomaci sot nuk ka një bust, nuk ka një shtatore në kryeqytetin e Shqipërisë. Prej kaq vitesh, Edi Rama dhe Erion Veliaj mbajnë në magazina shtatoren e Ibrahim Rugovës. Edi Rama në vizitën e parë në Kosovë, shkoi me misionin e sulmit ndaj Ibrahim Rugovës. Qëndrimet e tij ndaj pavarësisë së Kosovës janë të njëjta me ato të Beogradit. Urrejtja e tij për Rugovës është urrejtje për veprën e tij, pavarësinë e Kosovës.Është me rëndësi të kujtojmë dhe nderojmë prijës të pavdekshëm legjendar si Skënderbeu, gjeni të politikës së Ibrahim Rugova, sepse ata na frymëzojnë ne dhe çdo shqiptar që të ngrihen të mbrojmë me të gjitha kushtet dhe mjetet kauzat e drejta, kauzat e drejta nuk vdesin kurrë, nuk mposhten kurrë.” tha ai.
Diskutime rreth kësaj post