Ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, Faisal bin Farhan Al Saud, tha të martën se vendi i tij mund ta njohë Izraelin, nëse arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse që e përfshin formimin e një shteti palestinez.
“Ne pajtohemi që paqja rajonale e përfshin paqen për Izraelin, por kjo mund të ndodhë vetëm përmes paqes për palestinezët përmes një shteti palestinez”- tha kryediplomati saudit në Forumin Ekonomik Botëror, që po mbahet në Davos të Zvicrës, raporton agjencia “Reuters”.
Kur u pyet nëse Arabia Saudite do ta njihte Izraelin si pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë politike, ai tha: “Sigurisht.”
Ministri Al Saud tha se sigurimi i paqes rajonale përmes formimit të një shteti palestinez është “diçka në të cilën ne vërtet kemi qenë duke punuar me administratën e ShBA-së dhe kjo është më relevante në kontekstin e Gazës”.
Pas shpërthimit të luftës mes Izraelit e Hamasit në tetor të vitit të kaluar, Arabia Saudite i ngriu planet e ShBA-së për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin, thanë dy burime të afërta me politikat e Riadit.
Dy burimet i thanë agjencisë “Reuters” se do të jetë një vonesë në bisedimet e përkrahura nga ShBA-ja për normalizimin e marrëdhënieve mes Arabisë Saudite e Izraelit, që shihet si hap kyç për këtë shtet që të sigurojë një pakt të mbrojtjes me ShBA-në si shpërblim.
Diskutime rreth kësaj post