Piramida e Tiranës cilësohet si një nga 18 projektet e reja me spektakolare të arkitekturës për 2024 sipas revistës amerikane Architectural Digest. Eksperti i revistës Sam Cochran që ka bërë përzgjedhjen e këtyre veprave foli për CNN, duke theksuar se ndërtimet e reja vazhdojnë të kenë ndikim negativ në mjedis dhe është e rëndësishme të vihet në pah se si arkitektura ekzistuese mund të përshtatet për të ardhmen.
Ai ka vlerësuar edhe firmën holandeze të arkitekturës MVRDV që rikonceptoi Piramidën e Tiranës, duke thënë se përmes ndërhyrjeve të kujdesshme të projektimit, dëshmoi përdorimin e ri të një ndërtese të vjetër, e rigjallëroi atë me një ndjenjë gëzimi dhe argëtimi. Bien në sy kubat shumëngjyrësh dhe shkallët që mbulojnë Piramidën.
CNN Style i kujton publikut ndërkombëtar se Piramida e Tiranës fillimisht u konceptua si një muze kushtuar diktatorit Enver Hoxha. Po kjo ikonë konkrete për kohën u riimagjinua një qendër kulturore dhe novacioni.
Sot në qendër të qytetit të Tiranës vizitorët mund të ngjiten në një piramidë monumentale që dikur ishte simboli i ndritshëm i një diktature shtypëse. “Këmbët e turisteve shkelin triumfalisht mbi të kaluarën”, thekson CNN.
Çdo vit, lista “WOW” e projekteve të arkitekturës nga revista amerikane nxjerr në pah vepra të reja e të jashtëzakonshme në mbarë globin, nga pesë kontinente. Në këtë listë këtë vit përfshihet një pishinë publike e shndërruar në një qendër kulturore në Nigeri. Hapësira ekspozuese lundruese prej xhami në Hiroshima të Japonisë. Një akuarium i ri i projektuar për t’u dukur si një gërmadhë në Meksikë dhe vendi i koncerteve i veshur me panele LED sferike në Las Vegas.
Diskutime rreth kësaj post