Mjeshtra e Madhe, Zyliha Miloti ka sot ditëlindjen dhe mbush plot 78 vjeç. Miloti njihet nga të gjithë si një artiste e madhe
Kush është Zyliha Miloti?
Ajo lindi më 11 janar 1946, në Shkodër. Mbaroi shkollën e mesme “Jordan Misja” në vitin 1965. Në vitin 1967 e në vijim paraqitet si një nga aktoret më të suksesshme të Estradës Profesioniste të qytetit të Shkodrës. Mban titullin “Mjeshtre e Madhe”.
Pa i mbushur 14 vjet, kur ishte në klasën e 7-të, ajo u paraqit për herë të parë para publikut si një këngëtare e vogël shumë e talentuar. Rolet e para kanë qenë dramatike dhe si aktore e humorit ajo i filloj në moshën 20-vjeçare në estradën profesioniste të qytetit të Shkodrës pranë teatrit “Migjeni”.
Galeria e personazheve që krijoi dhe eksperienca e saj, bënë që ajo të mbetet një nga aktoret e shquara në skenën e humorit shqiptar.
Rreth 60 vite karrierë artistike në Teatrin e Estradës dhe gjatë këtyre viteve ka realizuar më shumë se 260 premiera. Në çdo premierë rolet e saj kanë spikatur për interpretim të shkëlqyer dhe kanë qenë të arritura. Përveç këtyre ajo ka marrë pjesë në teatrin e dramës dhe në një numër të madh filmash të kinostudios “Shqipëria e re” dhe të atyre pas viteve ’90.
Gjithë jetën e saj pa u larguar asnjë ditë nga kjo estradë e që prej vitit 1967 ajo ka interpretuar plot gjallëri në shfaqet e planifikuara të asaj kohe në fshat, malësi si dhe në të gjithë Shqipërinë.
Zyliha Miloti ka pasur fatin e madh që ka punuar me një plejadë artistësh të mëdhenj, regjisor e shkrimtarë në estradën profesioniste të qytetit të Shkodrës pranë teatrit “Migjeni”. Ajo gjeti një grup aktorësh të paarritshëm.
Ka qenë regjisor i ndjeri Paulin Sekuj i cili ka punuar për një kohë të gjatë me Zylin, pastaj kanë vazhduar të tjerë regjisor të mëdhenj si: Serafin Fanko, Edmond Mhilli, Zehrudin Dokle, Arjan Çuliq, Stefan Çapaliku, Gjergj Vlashi, Haxhi Rama, Fatbardh Smaja, Bruno Shllaku etj, si dhe shkrimtarët Fadil Kraja, Kolec Pepa, Paulin Selimi e të tjerë.
Nuk harrohet kurrë autori i pashtershëm i burimit të këtij materiali letrar shkrimtari humorist, i ndjeri Paulin Selimi, cikli i parodive me Gjosho Vasinë, apo kupletet dhe paroditë e spikatura me aktorin, humoristin e shquar Zef Deda.
Ashtu siç edhe e cilëson “Teatri Migjeni” në Shkodër,, Zyliha Miloti ka qenë gjithmonë shumë energjike në rolet që ajo ka interpretuar me kaq siguri dhe madhështi, jo vetëm në estradë por edhe në dramë e komedi, pa harruar pjesëmarrjen e saj në filma, opereta etj. Ajo vazhdon të jetë aktive edhe sot në skenën e teatrit.
Zyli është vlerësuar me disa çmime, tituj dhe shpërblime. Artiste e Merituar, “Gruaja e vitit 2000-2001″ nga Instituti i Biografive në Kembrixh të Anglisë, duke u zgjedhur mes 2000 personaliteteve botërore. Ka marrë çmime në “Ditët e humorit”, pastaj çmimin “Naim Frashëri i Artë” me motivacionin “Për kontribut të shquar në artin skenik dhe interpretim me nivel të lartë në gjininë e humorit”: “Mjeshtre e Madhe ”, dekoruar nga Presidenti i Republikës.
Diskutime rreth kësaj post