Mosbindja ndaj masës detyrim paraqitje të vendosur nga gjykata dhe rreziku për dëmtimin e provave apo ndikimin tek dëshmitarët, kanë qenë ndër arsyet pse SPAK kërkoi masën arrest shtëpie ndaj Sali Berishës. Gjyqtarja Irena Gjoka ka zbardhur vendimin e 30 dhjetorit për zëvendësimin e masave detyrim paraqitje e ndalim dalje jashtë shtetit me atë të arrestit me burg. Sipas dokumentit, dy prokurorët Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai janë shprehur se nga hetimet e deritanishme Sali Berisha, rezulton se ka konsumuar veprën penale të “korrupsionit pasiv të funksionareve të lartë shtetërorë dhe të zgjedhurve vendorë” në bashkëpunim, vepër që dënohet nga Kodi Penal me 12 vite burg. Prokurorët argumentojnë se ekzistojnë shkaqe të rëndësishme që vënë në rrezik marrjen apo vërtetësinë e provave, duke pasur parasysh ndikimin që mund të ketë Sali Berisha qoftë në institucionet shtetërore, përsa kohë që dosja është ende në fazën hetimore dhe ende nuk janë administruar të gjitha provat shkresore.
Rrezik thonë prokuroret, përbën në këtë fazë edhe marrja e provave nga dëshmitarët. Ata venë në dukje edhe faktin se personi në hetim nuk respektoi autoritetin e gjykatës, pavarësisht kundërshtimeve që ai mund te këtë në lidhje e vendimmarrjen. “Duke pasur parasysh dënimin që përcakton legjislacioni për veprën penale të korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë që shkon deri në 12 vite burg, funksionin e tij si ish kryeministër në kohën e ndodhjes së ngjarjes, si një nga njerëzit më të pushtetshëm, ndikimin në strukturat shtetërore që kanë pasur rolin në ndodhjen e ngjarjeve, por edhe angazhimi i drejtpërdrejtë në ndryshimin e destinacionit apo në propozime apo miratime aktesh ligjore, dhënia e urdhrave për ushtron kontrolli me qëllim bërjen të mundur të konkludimit të procedurës së privatizimit të kompleksit “Partizani”, thuhet në dosjen e SPAK. Një tjetër argument me të cilin prokurorët kanë kërkuar masën arrest me burg është fakti se korrupsioni është ndër fenomenet me shqetësuese në Shqipëri ndaj janë kushtet për caktimin e një masë më të rëndë. Sa i takon pretendimeve të Sali Berishës dhe avokatëve të tij se më parë duhej marrë miratim nga kuvendi, para se të caktohej masa ndaj detyrim për tu paraqitur, Prokurorët shprehen se nuk justifikohet refuzimi për zbatimin e masës përsa kohë nuk është prishur nga një gjykatë më e lartë. Në caktimin e masës arrest shtëpie, gjykata ka urdhëruar Berishën Ky vendim i gjyqtares Irena Gjoka është ankimuar nga avokatët në Gjykatën e Posaçme të Apelit ndërsa do te jetë gjyqtarja Ilirjana Olldashi që pritet ta shqyrtojë.
Krijoi mosbindje ndaj autoritetit të gjykatës
Po ashtu, sipas GJKKO, Berisha krijoi mosbindje ndaj autoritetit të gjykatës. Ndër të tjera, thuhet se në çështjen konkrete objekt shqyrtimi, rezulton se Berisha, në mënyrë të qëllimshme, nuk ka zbatuar në mënyrë të përsëritur detyrimet që i ngarkohen nga ligji procedurial penal, në zbatim të vendimeve gjyqësore, për caktimin e masave shtrënguese personale ndaj tij, duke mos u paraqitur para oficerit të policisë gjyqësore/hetuesit. Po ashtu, thuhet se nga ana e Berishës, nuk është paraqitur asnjë arsye e qenësishme që të justifikojë shkeljen e detyrimeve të përcaktuara në vendimet e gjykatës. “Pretendimet e shtetasit nën hetim Sali Berisha lidhur me masat e sigurimit të caktuara ndaj tij nga ana e gjykatës, nuk duhet të ishin të orientuara drejt mosrespektimit të tyre, e cila eventualisht ka formuar mosbindjen ndaj autoritetit gjyqësor, por në çdo rast, bazuar në rregullat e normuara të procedurës penale, ndaj tyre mund të ushtrohet ankim në një gjykatë më të lartë. Për më tepër, nga ana e personit nën hetim Sali Berisha, nuk është paraqitur asnjë arsye e qenësishme që të justifikojë shkeljen e detyrimeve të përcaktuara në vendimet e gjykatës.
Pretendimi i kërkuesit se arsyeja e moszbatimit të vendimit të gjykatës, lidhet me argumentimin se duhet të ishte dhënë autorizim nga Kuvendi i Shqipërisë për heqjen e lirisë së tij, para se të caktoheshin masat e sigurimit të parashikuara nga nenet 233 dhe 234 të K.Pr.Penale, nuk qëndron, për sa kohë ligji ka parashikuar në mënyrë të qartë të drejtat dhe detyrimet e palëve në këtë situatë faktike: të drejtën e ankimit ndaj vendimit të gjykatës, por edhe detyrimin për ta zbatuar atë”, thuhet ndër të tjera në dosjen e SPAK.
Diskutime rreth kësaj post