Kryeministri Edi Rama deklaroi dje se, krijimi i Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, nuk ka të bëjë me emra por me nevojën e jashtëzakonshme të vendit për të ecur më shpejt. Në një konferencë për median pas mbledhjes së fillimvitit për prioritetet e 2024, Rama u shpreh se, “ministria e re nuk është krijuar për të larguar znj.Margariti, e cila ka bërë detyrën e vet në krye të Ministrisë së Kulturës, por është bërë për të krijuar një strukturë të re për ato arsye që unë kam paraqitur shkurtimisht, që janë shtjelluar pak më gjatë në relacionin që i kam dërguar Presidentit të Republikës dhe që kanë të bëjnë pikërisht me nevojën e jashtëzakonshme të vendit për të ecur më shpejt, duke thyer kufijtë tradicionalë në ndërkohën kur ekonomia jonë, sektori institucional, pjesa institucionale që mbulon ekonominë ka nevojë për një shtysë të re të fortë”. Sa i përket zgjedhjes së ministrit të ri Blendi Gonxhja, Rama tha se, është një nga drejtuesit publikë më të sprovuar dhe me një sukses të pranuar nga të gjithë. “Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor ishte një kioskë banale, një çerdhe korrupsioni, një nga skenat më brutale të maskaradës antishtet, që ne e trashëguam.
Fakti që ne arritëm të bëjmë që Republika Federale e Gjermanisë të pranojë njohjen e patentës sonë, e lejes sonë të drejtimit, i thotë të gjitha. Nën lidershipin e tij është krijuar një institucion shqiptar që mund ta marrësh mund ta vendosësh në të gjithë hartën e institucioneve evropiane të sektorit, i plotëson të gjitha standardet, se ndryshe nuk ta njeh gjermani patentën, nuk të jep Gjermania mundësinë që të drejtosh makinën me një patentë të marrë tek qafa e Kërrabës me detyrimin që të votosh për partinë X dhe pa bërë testin. Se nuk mundet gjermani që makinat që lëvizin në territorin e asaj të jenë autobomba për të vrarë njerëz, për shkak shoferësh që kanë një patentë, por s’kanë dijeni sesi i jepet makinës. Dhe fakti që u arrit të kalojmë këtë test, fakti që institucionet e asaj drejtorie janë institucione model, jenë si ky këtu hotel, për pritjen, përcjelljen, eficiencën e shërbimit, shkurtimin e burokracisë e të gjitha përmes inovacionit flet vetë. Edhe background-i kulturor dhe lidhja e mëhershme me kulturën e ministrit të ri, e cila bëri që Drejtoria e Transportit të bëhej e famshme dhe e dashur për të gjithë njerëzit, jo vetëm për shërbimet, por edhe për gjithë segmentin e ri të Retro-s, po flasin vetë për pse-në”, deklaroi Rama.
Diskutime rreth kësaj post