Kryeministri Edi Rama zhvilloi një konferencë për shtyp pas përfundimit të mbledhjes informale të qeverisë që u zhvillua për dy ditë në Lezhë. Kreu i qeverisë u pyet se si do të qaset mazhoranca ndaj opozitës në një kohë kur këta të fundit kanë paralajmëruar sërish mosbindje civile.
Veprimet e deputetëve opozitarë, Rama i konsideron luftë fizike që sipas tij bëhet për problemin me drejtësinë të Sali Berishës. Ai theksoi se mazhoranca është e gatshme të bëjë çdo diskutim dhe negocim me premisën që të mos ketë më përplasje fizike në parlament.
Ai theksoi se për aq kohë sa do ketë flakadanë në Kuvend, mazhoranca do të votojë dhe do të largohet duke e bërë në këtë mënyrë detyrën e saj.
Pyetje: Kur nuk do të bëni një hap pas që është edhe çështja kryesore që opozita proteston për komisionet hetimore, si do përballeni në parlamentin që rinis, kur opozita vazhdon këmbëngul që do të protestojë. Do të kemi të njëjtën situatë? Si do qaseni?
Edi Rama: Kjo pyetje nuk është për mua. Qasja ndaj parlamentit është qasja e përcaktuar qysh kur se grekët e lashtë ndërtuan skenën e parë të shkëmbimit të opinioneve dhe hapën siparin e historisë së demokracisë. Pra në atë skenë nuk përfshiheshin mundja, boksi dhe aktivitetet me natyrë fizike përveç qëndrimit në këmbë dhe qëndrimit ulur. Grekët ishin atletë dhe e kishin alektikën dhe sportet në qendër të vëmendjes dhe kishin moton e famshme mendja e shëndoshë në trup të shëndoshë, por kishin pista atletike dhe stadiume për aktivitete fizike dhe kishin skenën e debatit demokratik për aktivitetin mendor. Kështu që nuk më rezulton që gjatë historisë së tij parlamentarizmi të ketë pasur në një moment ndonjë ndryshim në këtë aspekt dhe nuk më rezulton të ketë kaluar në faza ku është pranuar bashkëjetesa e sporteve fizike me ushtrimin e të drejtës së fjalës dhe me garantimin e së drejtës së tjetrit për të folur edhe ai. Në parlament do të qasemi me parlamentin siç janë qasur grekët, romakët, britanikët dhe siç qasen të gjithë ata që gëzojnë sot demokracinë dhe mundësinë që të jep demokracia për të pasur parlamente. Do të qasemi për t’u ngritur të flasim kur marrim fjalën dhe për t’u riulur për të dëgjuar kur të tjerët marrin fjalën. Për sa kohë përballë do të kemi shëmbëlltyra të keqkuptimit të madh midis sportit fizik të natyrës boks, mundje, hedhje disku, hedhje gjyleje, apo ndezje flakadanësh për lojërat e ardhshme olimpike ne do të votojmë dhe do të largohemi sepse ne do ta bëjmë punën tonë, duke shprehur keqardhjen sa herë na jepet mundësia për qytetarët që i kanë votuar ata që janë aty për të na luftuar ne me argumente që nuk kanë mundësi të dëgjojnë argumente, sepse lufta fizike aty nuk bëhet për asnjë problem të natyrës filozofike dhe konceptuale. Lufta fizike aty bëhet për një problem që ju e dini të gjithë dhe nuk kemi pse as ta diskutojmë. Është një problem njerëzor natyrisht, por që nuk është një problem i kësaj shoqërie, i këtij populli, i këtij vendi. Problemi me drejtësinë i një individi që ka kaluar nga parlamenti në ballkon dhe pret nga parlamenti përplasje, siç prisnin ata në Romë të vjetër që rrinin atje në llozhë dhe skllevërve të tyre u thoshin përplasuni me luanët të shohim kush do fitojë. Ky është problemi. Ne nuk jemi as skllevër, as luanë, por jemi përfaqësuesit e shumicës që bëjmë punën tonë. Jemi të gatshëm të bëjmë çdo diskutim, të bëjmë çdo negocim me premisën që keqkuptimi fizik i jetës parlamentare të zgjidhet dhe këtë nuk e zgjidhim dot ne./tvklan.al
Diskutime rreth kësaj post