Gëzim Sinomataj, vetëm 22 vjeç, u ekzekutua me armë zjarri mbrëmjen e kësaj të diele në qytetin e Vlorës. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 22:00, në lagjen “Hajro Çakërri”, në rrethana momentalisht të paqarta.
Nga të dhënat e para, dyshohet se i riu u ekzekutua në ballkonin e shtëpisë së tij, që ndodhej në katin e tretë të një pallati pranë poliklinikës së qytetit.
Autorët e kësaj ngjarjeje nuk dihen ende. Mister mbeten edhe motivet. Në vendin e ngjarjes ndodhen forca të shumta policore, të cilat kanë rrethuar zonën dhe po punojnë për kapjen e autorëve të kësaj vrasjeje.
“Rreth orës 22:00, në lagjen “Hajro Çakërri”, Vlorë, në rrethana ende të paqarta, është qëlluar dyshohet me armë zjarri shtetasi Gëzim Sinomataj, 22 vjeç, banues në Vlorë, i cili si pasojë ka ndërruar jetë. Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën dhe janë ngritur pika kontrolli në hyrje dhe në dalje të qytetit, si dhe përgjatë rrugëve që lidhin njësitë administrative, me qëllim kapjen e autorit/ve. Grupi hetimor po vijon punën për sekuestrimin e çdo prove materiale që do ti shërbejë zbardhjes së ngjarjes dhe identifikimit të autorit/ve. Në ndihmë të Policisë Vendore janë nisur Forcat Speciale Renea, Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe Delta Forcë”, tha policia e Vlorës në një informacion paraprak për mediat.
Ndërkohë burime paraprake për Klan News thonë se viktima dyshohet të jetë vrarë me snajper në ballkonin e shtëpisë së tij. Sinomataj dyshohet të jetë qëlluar nga një godinë përballë. I riu raportohet ishte kthyer nga Belgjika për të festuar vitin e ri në Shqipëri.
Ndërkohë, rreth 1 orë e 20 minuta pas ngjarjes së rëndë, policia njoftoi se makina e autorëve të dyshuar u gjet duke u djegur në lagjen “24 Maji”.
“Forcat Shqiponja, Operacionale, Delta, e Forcat Kombëtare të Sigurisë janë në ndjekje të autorëve të ngjarjes ku mbeti i vrarë me armë zjarri Gëzim Sinomataj. Autorët dyshohet se kanë braktisur mjetin tip “BMW”, në lagjen “24 Maji”, duke e djegur dhe janë larguar duke përfituar nga errësira. Është rrethuar zona në një perimetër të gjerë të sigurisë dhe vijon kontrolli. Në mbështetje dhe Forcat Renea për kontrollin e zonës ku dyshohet se janë larguar autorët”, tha policia në një njoftim të dytë për mediat.
Diskutime rreth kësaj post