Edmond Valteri, denoncon në “Stop” Gjendjen Civile Durrës, në lagjen 17, ku Ersi Valteri i datëlindjes 06.02.2023, sipas skedës së materninetit figuron mashkull, por gjendja civile e ka regjistruar femër.
Babai, Edmondi, e vuri re këtë problem, kur çoi djalin në çerdhe. Për 8 muaj ai as që e kishte vënë re që djali ishte regjistruar si femër, madje as në pasaportë, ku rezulton i njejti gabim.
Edmond Valteri: Më ka lindur një djalë, më datë 06.02.2023. Në skedën e maternitetit është shkruar mashkull, siç është në të vërtetë, ndërsa punonjëset e gjendjes civile e kanë bërë femër.
Gazetarja: Në momentin që kanë hedhur të dhënat?
Edmond Valteri: Në momentin që kanë hedhur të dhënat, e kanë bërë femër.
Gazetarja: Kur e zbulove ti këtë gjë?
Edmond Valteri: Ka 3-4 ditë.
Gazetarja: Ndërkohë që djali, duhet theksuar, është…
Edmond Valteri: 8 muajsh.
Gazetarja: Domethënë, pas 8 muajsh ti ke mësuar që Ersi Valteri, i cili është mashkull është ndryshuar nga gjendja civile, është bërë femër.
Edmond Valteri: Po! Gjatë kësaj kohe unë kisha bërë edhe pasaportën.
Gazetarja: Pasaportën e Ersit? Përse ku do shkonit?
Edmond Valteri: Kam lëvizur në Greqi me pushime, edhe marrë pasaportën, është femër.
Gazetarja: E kishe vënë re këtë?
Edmond Valteri: Jo, nuk e kisha vënë re.
Gazetarja: Domethënë, pas regjistrimit nga zyra e Gjendjes Civile, lagjja 17, ku u bë dhe gabimi njerëzor, pasohet edhe tek pasaporta. Po kur e zbulove ti këtë, se tek Gjendja Civile nuk e paske zbuluar, tek pasaporta që ke bërë jo. Kur? Kush ta tha?
Edmond Valteri: M’u desh një certifikatë për regjistrimin në çerdhe edhe bashkëshortja e pa tek e-Albania që ishte gjinia femër.
Edmondi tregon se iu drejtua zyrës së Gjendjes Civile, ku i thanë se gabimet njerëzore nuk zgjidhen, por çohen në gjyq.
Edmond Valteri: Vajta pranë Gjendjes Civile edhe më thanë që “këtë e zgjidh vetëm me gjykatë”.
Gazetarja: Po pse more me gjykatë? Si, do hapësh gjyq ti për këtë?
Edmond Valteri: Sepse është një gabim njerëzor edhe vetëm me vendim gjykate mund ta zgjidhësh këtë problem. Ç’taksirat kam unë të paguaj gjithë ato kosto, për një gabim njerëzor që mund ta bëjë një punonjës i gjendjes civile, duke pasur kartelën e maternitetit që e ka të shënuar mashkull. Sepse unë e kam mashkull, nuk e kam femër djalin.
Gazetarja: Çfarë kërkon?
Edmond Valteri: Kërkoj që të kem “M” tek pasaporta.
Gazetarja: Por që ta kesh tek pasaporta, duhet ta kesh tek Gjendja Civile fillimisht.
Pas qytetarit, edhe gazetarja e “Stop” komunikon me përgjegjësen e gjendjes civile, e cila thotë se punonjësja që ka bërë gabimin është larguar. Sipas saj, këto lloj gabimesh korrigjohen vetëm nga gjykata.
Diskutime rreth kësaj post