Pas liberalizimit të vizave nga shtetet anëtare të zonës Schengen, pasaporta e Kosovës është ngjitur për 90 pozita në Indeksin e Pasaportave të VisaGuide.World.
Bazuar në përditësimin e këtij indeksi për muajin janar, pasaporta e Kosovës tashmë renditet në vendin e 98-të, duke u ngjitur nga pozita e 188-të, ku ndodhej muajin e kaluar.
Themeluesi i VisaGuide.World, Besart Bajrami, ka konsideruar lëvizjen për 90 pozita në këtë indeks si “arritje historike”.
“Kjo është një arritje historike për Kosovën, si dhe ngjitje historike në indeksin pasaportave më të fuqishmë ne botë, që tregon se vetëm BE-ja ka autoritetin ekskluziv për të rritur fuqinë e një pasaporte brenda një nate“, thotë Bajrami.
Që nga data 1 janar 2024, qytetarët me pasaporta biometrike të Kosovës mund të udhëtojnë pa viza në 44 vende të botës. Përveç kësaj, qytetarët e Kosovës mund të hyjnë edhe në katër vende të tjera pa pasaportë, vetëm me letërnjoftim: në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe Serbi.
Gjithsesi, qytetarët e Kosovës kanë nevojë për vizë tradicionale për të udhëtuar në 97 vende të botës, vizë që merret në kufi kur planifikojnë të vizitojnë 32 shtete, si dhe një e-vizë për 33 vende.
Për më tepër, qeveritë e 16 vendeve të botës, Armenia, Azerbajxhani, Bjellorusia, Kuba, Gjeorgjia, Kazakistan, Kirgistan, Libani, Moldavia, Rusia, Siria, Spanja, Taxhikistani, Turkmenistani, Uzbekistani, Venezuela, u kanë ndaluar qytetarëve të Kosovës hyrjen në territorin e tyre, për shkak se nuk njohin Kosovën si shtet të pavarur.
Në dhjetor të 2023-tës, kur Kosova zinte vendin e 188 në Indeksin e Pasaportave të VisaGuide, qytetarët e saj lejoheshin të vizitonin vetëm 11 vende pa viza dhe kishin nevojë për viza tradicionale për të udhëtuar në gjithsej 130 vende të botës.
Këtë muaj si dhe muajin e kaluar, pasaporta më e fuqishme në botë është vlerësuar ajo e Spanjës, pasuar nga ajo e Gjermanisë dhe e Singaporit.
Diskutime rreth kësaj post