Sali Berisha thirri dje në protestë mbështetësit në kohën kur prokurorët e SPAK shpjegonin ligjërisht në Kuvend kërkesën se përse kërkon ashpërsimin e masës ndaj ish kryeministrit në hetim për korrupsion për aferën e privatizimit të ish kompleksit Partizani. Përveç deputetëve që e mbështesin që prej kur u shpall ‘non grata’ dhe të bijës Argitës, në krah të Sali Berishës nuk ishin deputetët tashmë të etiketuar grupi i Bardhit. Madje as ata që kanë firmosur kërkesën e dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese për të pezulluar arrestimin e ish kryeministrit. Kjo nuk ishte goditja e vetme për Berishën, pasi ata nuk ishin as pjesë e mbledhjes së Komisionit të Mandateve që vendosi t’i hapë rrugë SPAK për arrestimin e ish-kryeministrit. Ky nuk është bojkoti i parë i aktivitetit politik të foltores, pasi ky grup nuk mori pjesë edhe në Kuvendin që mbajti Berisha pak javë më parë. Bardhi kishte dalë kundër kësaj proteste që në mbledhjen e grupit. Po pse kjo tërheqje e papritur nga deputetët e PD? Ata kanë shfaqur një pozicionim tjetër ndaj Sali Berishës. Mesa duket ultimatumi amerikan për ata që i shkojnë pas Berishës paska dhënë efektin e duhur.
Ultimatumi amerikan
Në një reagim për gazetën “SOT”, amerikanët i dhënë një “shuplakë” të fortë Bardhit dhe gjithë atyre që i shkojnë pas “non-gratës” se duhet ta mendojnë edhe një herë hapin që po hedhin dhe të kenë kujdes marrëdhëniet me të sanksionuarin nga SHBA. “Ambasada e SHBA nuk ka ndryshuar qëndrim në lidhje me individët e shpallur ‘non-grata’ dhe nxisim te gjithë aktorët të shqyrtojnë me kujdes angazhimet e tyre me figura të tilla”, deklaroi ambasada e SHBA pak javë më parë. Pra frika e tyre ishte se karriera e tyre do të merrte fund nëse paraqiteshin sot në protestë tek Berisha. Nëse SHBA i fut në “listën e zezë”, çdo gjë për ta mbaron. Ata e kanë menduar mirë qëndrimin e tyre, pasi SHBA ka që pas shpalljes “non grata” të Berishës që paralajmëron aktorët politikë për shkëputje nga e shkuara. Në 10 nëntor 2021, ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, paralajmëroi ndërprerjen e raporteve të SHBA-ve me PD nëse Sali Berisha rikthehet në krye të partisë. Mesazhi i Kim nënkupton se rikthimi i Berishës do ta bënte të gjithë PD-në non grata për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ambasadorja tha se kjo ishte një politikë që ndjek SHBA në mbarë botën. “Nuk ka për të ndodhur. Nuk do të angazhohemi me askënd që është shpallur nga Sekretari i Shtetit. Kjo është një politikë për mbarë botën dhe nuk ka fare të bëjë me individët, por politika e përgjithshme është që nuk mund të imagjinojmë një skenar ku unë apo ndonjë nga pasardhësit e mi të pretendojmë se çdo gjë shkon mirë dhe të shkojmë për kafe me dikë që është shpallur nga Sekretari i Shtetit për korrupsion madhor. Nuk ka për të ndodhur”, deklaroi Kim. Gjithashtu, i dërguari special i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Grabriel Eskobar, ishte mjaft i prerë dhe i qartë në 10 janar 2021, kur tha se PD-ja do të ketë pasoja nëse zgjedh në krye të saj një person të shpallur ‘non grata’. “Ku janë prokurorët, hetuesit dhe autoritetet në vendin tuaj?
Ne e bëjmë sipas ligjeve tona, por dhe ju keni disa në vendin tuaj. Nëse doni ta dini, hetoni. Nuk takohemi me të, do të ketë pasojë nëse PD zgjedh dikë të shpallur ‘non grata”, tha Escobar. Qëndrimi konfirmon se paralajmërimet për pasojat që do të ketë PD nëse Berisha rikthehet në krye të saj, janë qëndrime të qeverisë amerikane dhe jo një pozicion personal i Yuri Kim, siç pretendon Berisha. Mesazhi i Escobar u përforcua 5 ditë më pas nga ambasadorja Yuri Kim. “Nëse do të ndodhte kjo, do të kishte pasoja. Pra, nuk ju themi për kë të votoni, por mendojmë se duhet të merrni vendime të informuara. Në këtë kuptim, kemi bërë shumë të qartë që nëse Partia Demokratike apo cilado parti drejtohet nga dikush, përfaqësohet nga dikush që është përcaktuar nga Sekretari i Shtetit për korrupsion madhor, atëherë nuk mund të presësh një marrëdhënie normale. Kaq bëmë, ofruam informacion”, tha Kim.
Diskutime rreth kësaj post