Rudi Giuliani, një bashkëpunëtor i hershëm i ish-presidentit Donald Trump, është urdhëruar t’u paguajë dy grave mbi 148 milionë dollarë për deklaratat false të bëra ndaj tyre se kishin ndërhyrë në zgjedhjet e 2020-s.
Një gjyqtar e kishte shpallur zotin Giuliani përgjegjës për deklarata shpifëse në dëm të punonjëseve të qendrave zgjedhore, Ruby Freeman dhe Wandrea Moss.
Vendimi i fundit erdhi pas një procesi 4-ditor për të përcaktuar dënimin. Të premten, juria me 8 anëtarë urdhëroi pagesa prej 20 milionë dollarësh për secilën prej viktimave për shpifjen.
Këtyre iu shtuan 16 milionë dollarë të tjera për stres emocional, ndërsa një pagesë tjetër prej 75 milionësh u urdhërua që të ndahej mes tyre.
Duke folur për gazetarët jashtë gjykatës, Giuliani deklaroi se nuk pendohej për asgjë. “Të them të drejtën, nuk mendoja se gjërat do të shkonin më mirë”, tha Giuliani, duke paralajmëruar apelimin e vendimit, të cilin e quajti “absurd”.
Sipas mediave amerikane, Giuliani ka një pasuri prej 50 milionë dollarësh. Më herët, avokatët e tij i bënë thirrje jurisë që të tregohej e matur kur të jepte vendimin.
Procesi gjyqësor i mbajtur në Uashington ishte vetëm një nga çështjet e shumta ligjore me të cilat ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut përballet.
Në shtetin e Xhorxhias, ai përballet me akuza penale, përfshirë atë për deklarata të rreme lidhur me një çështje që ka të bëjë me përmbysjen e rezultatit zgjedhor e ngritur ndaj ish-presidentit Trump.
Vetë Giuliani është deklaruar i pafajshëm.
Diskutime rreth kësaj post