Deputetja Monika Kryemadhi në një intervistë televizive foli mbi “krisjen” e marrëdhënies së saj me Gazmend Bardhin, por edhe për votën e saj në Kuvend për lejimin e arrestimit të Sali Berishës të cilën e kërkon SPAK.
Gazetari: Do ta votoni lejimin e arrestimit të Sali Berishës në seancë, aleatit të partisë tuaj?
Monika Kryemadhi: Me thënë të drejtën, unë jam partizane që deputetët të mos kenë fare imunitet dhe s’ka pse të vijë SPAK në parlament për të kërkuar deputetë. Për mua çdo deputetë duhet të marrë përgjegjësinë për tu përballur me drejtësinë, a besojmë ne tek kjo drejtësi? Është tjetër gjë, sepse këtë drejtësi e kemi lejuar ne ta kapë Edi Rama, sepse ne dogjëm mandate.
Gazetari: A mendoni edhe ju që SPAK është i kapur nga Edi Rama?
Monika Kryemadhi: Mund të mos jetë i kapur, por është i shantazhuar.
Gazetari: Cili është raporti juaj politik me Gazmend Bardhin?
Monika Kryemadhi: Unë kam shkuar shumë mirë me Gazmend Bardhin që të jem e sinqertë në kohën kur bashkëpunonim me Z. Basha. Kam besuar gjithmonë që ishte i vërtetë në gjërat që thoshte. U zhgënjeva shumë sepse ka thënë diku se i kemi propozuar LSI-së 15 kandidatë në listë të përbashkët në 2021, gjë që nuk është e vërtetë. Ai mund të jetë gënjyer nga Basha pasi të gjithë e dimë tanimë, ne nuk e dëgjuam Ilir Merën kur tha se ai gënjen për orën, por duhet ecur përpara. Kam dyshuar se mund të ishte lojë konflikti i tij me Lulzim Bashën, uroj që të mos jetë.
Gazetari: A keni më dyshime?
Monika Kryemadhi: E kam ndjekur në deklaratat e fundit, qëndrimet që ka bërë, opozitarizmi, dhe mendoj se unifikimi i opozitës është gjë e mirë për të gjithë ne, dhe ai ka rolin e tij në unifikimin e opozitës.
Diskutime rreth kësaj post