Deputeti i Partisë Demokratike Edi Paloka ka folur mbi protestën që pritet të zhvillohet të Hënën nga ana e opozitës.
Gjatë një interviste televizive Paloka thotë se kryedemokrati Sali Berisha nuk ka qenë dakord për një aksion të tillë këto ditë, pasi nuk do që të lidhet me emrin e tij. Por sipas Palokës, kjo gjë nuk ka të bëjë me të. Ai thotë se kryeministri Edi Rama kërkon të kontrollojë edhe mandatet e deputetëve të opozitës, prandaj protestat janë të domosdoshme.
“Ka qenë e kundërta, ka qenë zoti Berisha që nuk ka dashur të zhvillohet protesta këto ditë sepse mund të lidhej me emrin e tij personal. Është një thënie e tij që u kundërshtua nga shumica jonë edhe në mbledhjen e grupit, aty nuk bëhet fjalë për Sali Berishën si individ. E gjithë kjo ka dy vjet që kjo strategji është drejtuar ndaj liderit të opozitës dhe po bëhet çdo lloj ndërmarrje me qëllim që opozitës dhe gjithë të drejtave që janë shkelur, t’i heqin dhe liderin e saj. Pra, nuk kemi të bëjmë fare me një kërkesë për heqje imuniteti ndaj një deputeti, por me një sulm të organizuar më së miri nga Rama dhe gjithë instrumentat që ai kontrollon, përfshirë këtu SPAK dhe organet e saj. U ra dakord që do ketë protestë edhe të Hënën, edhe të Enjten”, tha Paloka.
“Nëse do ketë seancë të Martën, do bëhet protesta të Martën. Ka dy lloj protestash, njëra për të shprehur mos dakordësi ndaj një akti ose veprimi dhe protesta kur populli opozitar ka një qëllim dhe protesta vazhdon deri në arritjen e atij qëllimi. Këto protesta kanë lidhje me një objekt të caktuar. Sot ka ndodhur akti më i rëndë në Parlament. Akti që kanë miratuar sot deputetët e Ramës ka qenë më i rëndi, sepse mandatet e deputetëve janë lënë në dorë të 5 anëtarëve të Këshillit të Mandateve të kontrolluar nga Rama, të cilët vendosin se kur i fillon e mbaron mandati një deputeti. Përjashtimi me 60 ditë, pa asnjë të drejtë është praktikisht heqje e mandatit për atë periudhë. Këtu s’bëhet fjalë për drejtësi dhe i bie që Rama i ka në dorë mandatet e deputetëve. Unë jam përjashtuar disa herë nga këto “buçkat e Ramës”, por njëherë jam përjashtuar pa qenë në seancë, u përjashtova se kisha prishur seancën pa qenë aty”, shtoi ai.
I pyetur për mënyrën e organizimit të protestave, Paloka u shpreh kështu: Nuk kam ndërmend t’ua zbuloj detajet. Ne i kemi ndaluar militantët deri tani, edhe në mbledhjen e sotme dhe herë të tjera është diskutuar për kërkesat e tyre në parti. Sot kanë reaguar më ashpër se pse ne nuk i kemi thirrur në protestë, ka qenë këmbëngulja e Berishës. Unë vetë i kam thënë të mos kompleksohemi nga kjo gjë sepse nuk kemi të bëjmë me çështjen Sali Berisha, por me eliminimin e pluralizmit në vend. Në atë protestë do të vijë kush të dojë dhe nga të dojë. Do organizohemi me strukturat, por protesta është për të gjithë shqiptarët. Prandaj nuk duhet të presim! Mos prisni t’u vijë e keqja te dera e shtëpisë tuaj dhe të reagoni, se do jetë vonë. Ky është një regjim diktatorial, nuk ka fjalë më!
Diskutime rreth kësaj post