Xhuli Nura ka rrëfyer së fundmi në emisionin “S’e Luan Topi” për momentet e vështira që ka kaluar gjatë luftës në Kosovë.
Ajo mes lotësh tregoi se serbët i kanë vrarë gjyshin, familjarët nga ana e nënës dhe babait.
Modelja nga Drenica zbuloi mes tjerash se babai i saj u kthye në Kosovë për të luftuar dhe se nuk kanë pasur asnjë lajm nëse ai ishte gjallë.
“Unë isha vetëm tetë vjeçe kur lufta e Kosovës filloi dhe ajo na demoralizoi shumë si familje sepse unë rrjedh nga një qytezë si Drenica që njihet tashmë që ka ndryshuar historinë e Kosovës dhe troje të tjera. Familja ime ka dhënë shumë për këtë luftë. Babi im u kthye në Kosovë për të luftuar, ndërsa ne mbetëm në Finlandë. Në atë kohë rrija përpara televizorit për të parë çfarë po ndodh në Kosovë”, u shpreh ajo.
Ish-banorja e Big Brother VIP Kosova shtoi: “Mamaja ime vjen nga Prekazi legjendar dhe kemi marrë lajme që u masakrua gjyshi, u masakruan pastaj familjarët e mamit dhe më pas familjarët e babait. Ndërkohë gjatë kësaj kohe babi im ishte në luftë dhe nuk e dinim a ishte gjallë apo jo”.
Nura u shpreh se lufta e Kosovës është një traumë që nuk kalon edhe lehtë.
“Ankthi i një fëmije që priste për një telefonatë të hidhur, ajo është një traumë që me kalimin e viteve bëhet i madh. E ke si një ndjesi përbrenda që do të shpërthesh, por nuk mundesh. Kur mua më duhet të flas për fëmijërinë më kujton gjithmonë luftën e Kosovës, fatkeqësisht. Nuk është aspak e lehtë të flasësh për këtë gjë dhe kam vendosur të mos flas për këtë”, vazhdoi mes tjerash ajo.
“Është një gjë që nuk kalon. Është një dhimbje që të kujton se sa shumë kemi vuajtur për këto tradita, për gjuhën e bukur shqiptare”.
Diskutime rreth kësaj post