Kryeministri Edi Rama, foli edhe për 21 Janarin në Kongresin e PS. Sipas tij, 21 Janari është ende peng i drejtësisë së vjetër dhe që ende nuk ka shkuar në Prokurorinë e Tiranës.
Rama u shpreh se 21 Janari është ulur në sëndukët e maskarenjve, që penguan, sabotuan dhe rrëzuan këdo që tentoi t’i bënte gjërat pak me ndryshe.
“Këtu u fol për 21 Janarin. 21 Janari është peng i drejtësisë së vjetër. Nuk ka vajtuar akoma 21 Janari te Prokuroria e Tiranës. 21 Janari është mbyllur në ato sëndukët e gjyshërve, në ato sëndukët e maskarenjve të Shqipërisë, qysh nga vitit 1912, që penguan, sabotuan dhe rrëzuan këdo që tentoi t’i bënte gjërat pak me ndryshe. Imagjinoni prokuroritë e tjera, gjykatat e tjera se në çfarë gjendje janë, nuk dua të marr kohë me këtë. Duhet të mendojmë se çfarë duhet të bëjmë që drejtësia të rrisë profesionalizmin e saj. Drejtësi evropiane është gjithnjë garante e shtetit ligjor, është garante e lirive dhe të drejtave kushtetuese të çdo individi, të barazisë reale të individëve para ligjit, përfshirë prokurorët dhe gjykatësit, të cilët nuk duhet të ndihen të pakontrolluar dhe të pabalancuar nga asnjë mekanizëm kushtetues dhe ligjor. Kjo është Republika e Shqipërisë, jo republika e prokurorëve dhe gjykatësve, të cilët janë një pushtet i pavarur nga parlementi dhe nga qeveria, por nuk janë i vetmi pushteti i pavarur i kësaj republike”,-tha Rama.
Diskutime rreth kësaj post