Dikur reperi Rigels Rajku, i njohur si Noizy prezantohej me “30 vet”. Por me kalimin e viteve, adoleshenti që përleshej për një grusht me para në Londër e kuptoi se rruga e dhunës nuk kish të ardhme. Ndërsa ngjiti shkallët e karrierës muzikore, u bë më përzgjedhës dhe zgjodhi të shfaqet me personazhe të një pozite të caktuar në publik. Mes tyre bie në sy dobësia që ka për Noizyn, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj.
Në një nga inskenimet e fushatës së 14 Majit, para se të mbushnin pjatat me ushqim në një qendër sociale me kamerat ndezur, Veliaj e quajti Noizy-n një “ikonë e rinisë shqiptare” dhe një djalë që ka ecur “me punë dhe talent” në jetë.
Pas zgjedhjeve, autori i “100 kile” e ngriti nivelin e autoritetit që kishte pranë. Ai u shfaq në stadium në shoqërinë e Edi Ramës, për të ndjekur një ndeshje futbolli. Kryeministri shpërndau foton me Noizy-n duke bërë simbolin e shqiponjës me duar, ndërkohë që siç rezultoi më vonë policia intensifikoi hetimet kundër një bande, që kishte shpërthyer me tritol lokalin e reperit në Durrës.
S’ka dyshim që Rigels Rajku është ndër reperët e preferuar në industrinë e muzikës së rrep-it shqiptar. Mbështetjen publike për krerët e shtetit nuk e jep falas. Disa muaj më parë, Bashkia e Tiranës i financoi me 50 milionë lekë promovimin e albumit të tij të ri “Alpha” në koncertin që u mbajt në sheshin “Nënë Tereza”.
Lexo të plotë” Rrëfimi i Noizy-t/ Dyluftimet në Angli, diss-et me Hellbanianz dhe problemet me Klevion
Por në një intervistë për median britanike Express, reperi Rigels Rajku, i njohur si Noizy ka rrëfyer detaje nga e shkuara e tij në Londër. Që nga hapat e parë të adoleshencës kur u përball me racizmin e britanikëve përmes fjalëve “Mos u ul këtu se je refugjat, kthehu në vendin tënd, ne nuk të duam këtu”. Pastaj tregoi për kohën kur merrte pjesë në dyluftime me pagesë, apo se si krijoi grupin OTR (On the run) dhe se si zgjidhi përmes dhunës problemet me bullizmin dhe bandat e tjera të Londrës deri në kthimin në Shqipëri dhe suksesin në industrinë e muzikës.
Larg së qënit burri i përmbajtur që është sot, Noizy rrëfeu se kur ishte i ri u detyrua të reagonte fort për të përballuar jetën në rrugët e Londrës.
“E vetmja mënyrë për të mbijetuar në Angli është të jesh i fortë” tregoi ai, ndërsa fliste për fillimet e OTR.
“Ne ishim grupi i parë shqiptar, i formuar në vitin 2001, ishim vetëm 10 veta në fillim, të gjithë boksierë. Grupi bëhej gjithnjë e më i madh sa më shumë [njerëz vinin nga Shqipëria]. Unë isha udhëheqësi sepse kisha ardhur në moshën 10 vjeç dhe mësova gjërat e vogla [që ishin të rëndësishme]; si të visheni, të flisni [dhe] të jesh më “brittish” tregoi Noizy.
Ndryshimin që ka pësuar nga rinia kampioni i dyluftimeve të rrugës në Londër e vë në dukje edhe gazetari britanik Zak Garner-Purkis.
Ai e përshkruan sot Rigels Rajkun si një burrë familjar, joduhanpirës, të cilit i pëlqen të mbajë trupin në formë dhe të menaxhojë interesat e tij të shumta të biznesit, duke përfshirë një linjë veshjesh, restorante dhe hotele.
Por ndërsa flet për OTR, gazetari zbulon detaje që në Shqipëri vetëm sa përfliten nën zë.
“Raportet e inteligjencës së policisë disa vite pas largimit të Noizyt sugjerojnë se ata (OTR) bënë pikërisht këtë. Një raport i Këshillit të Bromley për bandat lokale nga viti 2012 tha se informacioni i mbledhur nga forca tregonte se “banda shqiptare OTR nuk po vepron më si një bandë rrugësh dhe në vend të kësaj po vepron si një rrjet i organizuar kriminal për të furnizuar drogë dhe për të kryer grabitje” shkruan Express.
Pra, britanikët shohin tek Noizy njeriun që krijoi një bandë të mirëfilltë kriminale. Bandë që nga përplasjet në rrugë, kaloi në trafikun e drogës dhe dyshohet për organizimin e grabitjeve në Londër.
“Noizy thotë se zgjodhi të mos shiste drogë apo të përfshihej në krimin e organizuar, sqaron gazetari, por muzika e tij nuk e dënon këtë mënyrë jetese” shkruan Express.
Në rimat e Noizy-t gjen shpesh kërcënime për vrasje, përdorimin e armëve, mesazhet për trafikun e drogës apo edhe për grabitje siç është rasti kur ai përmend numrin 53.
Fansat thonë se ky numër është një kod për një nga grabitjet më të mëdha në Britaninë e Madhe, kur u vodhën 53 milionë paund dhe pjesë e së cilës ishin edhe disa shqiptarë.
Me gjasë, Rama dhe Veliaj e njohin historinë e dhunës që vjen pas Noizy-t, sepse reperi nuk e fsheh të kaluarën e tij.
Por këto nuk i pengojnë të dy ta promovojnë atë si “ikonë të rinisë” shqiptare dhe si një histori suksesi.
Duhet thënë se këngëtari ka qenë gjithnjë i sinqertë me publikun e tij.
Edhe në intervistën për Express ai e ka shpjeguar se në tekstet ku mburret për trafikun e drogës dhe krime të tjera, nuk përshkruan jetën e tij, sepse u largua në kohë nga Londra. Por tekstet, thotë ai, janë fjalët e një personazhi që ai adopton kur bën rap.
Problemi është tek politikanët që promovojnë modelin “gangsta” të të riut shqiptar në jetën reale. Njësoj siç bënë kur futën në parlament tutorë prostitutash, vrasës dhe trafikantë droge, njerëz që i promovuan si histori suksesi dhe që sot, ende i përdorin si model për të ruajtur pushtetin.
Diskutime rreth kësaj post