Presidenti Bajram Begaj ka organizuar një pritje në Pallatin e Brigadave në kuadër të 111-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, ku morën pjesë zyrtarët më të lartë të shtetit.
Në fjalën e tij, Begaj pati edhe një mesazh për politikën, duke i kërkuar që të gjejnë kompromisin për t’i shërbyer qytetarëve.
“Bëj thirrje për përfaqësuesit e shqiptarëve në Kuvend që kokulur të punoni për një Shqipëri që sundohet nga ligji, që ka prioritet të mirën e të gjithëve. Në jetën tuaj parlamentare të udhëhiqeni nga interesi kombëtar mbi dallimet ideologjike, nga kompromisi dhe jo nga konfrontimi, nga përgjegjësia për të ardhmen dhe dashuria për Atdheun”, tha Begaj.
Për kreun e shtetit, 28 Nëntori është ditë kujtese, teksa theksoi se Shqipëria është para sfidave të ndërtimit të politikave strategjike brenda e jashtë vendit.
“28 Nëntori është dita e kujtesës dhe nderimet për të shkuarën dhe frymëzimin për të ardhmen. Sot është dita që të kujtojmë me mirënjohje sakrificën e shkruar me gjak të patriotëve shqiptarë. Një vend i vogël, aktor paqeje në marrëdhëniet ndërkombëtare, Shqipëria është para sfidave të ndërtimit të politikave strategjike brenda e jashtë vendit. Këto kanë të bëjnë së pari me përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve tanë dhe finalizimit të integrimit në familjen europiane. Zhvillimet më të fundit në arenën ndërkombëtare kanë treguar se paqja nuk është asnjëherë e sigurt dhe mirëqenia asnjëherë e mjaftueshme”, theksoi Begaj.
Presidenti bëri thirrje edhe për bashkëpunim sa më të ngushtë me Kosovën.
“Kemi fatin të kemi dy shtete shqiptare në rajon. Bashkëpunimi me Kosovën, në pozita të barabarta si dy shtete të një kombi, duhet të jetë sa më i ngushtë, simetrik dhe përplotësues”, u shpreh Begaj.
Diskutime rreth kësaj post