Kryeministri, Edi Rama, në një konferencë për mediat ditën e sotme, është shprehur se detyra e qeverisë është të mbështesë punën e Prokurorisë së Posaçme.
Gjatë fjalës së tij, ai nuk mohoi faktin se pret që kjo strukturë të nisë hetimet për tragjedinë e 21 Janarit, që sipas Ramës është një nga tragjeditë më të mëdha që ky vend ka.
“Ka ngjallur shumë polemika, siç shihet sepse SPAK ka trazuar një ujë të ndenjur prej 100 e kusur vitesh. Është hera e parë në historinë e shtetit që ekziston mes nesh një Prokurori që bën atë që i thotë mendja. Nuk ka pasur ndonjëherë! Derisa është krijuar SPAK, prokurorët në Shqipëri kanë bërë çfarë u kanë thënë ata që kanë pasur pushtetin ekzekutiv. SPAK ka krijuar shumë polemika që nga ata që thonë që janë shpëtimtarët e shumëpritur të kombit e deri te ata që thonë janë një mjet represioni që përdor Rama. Këta të dytët janë në hall dhe unë i kuptoj, por nuk i ndihmoj dot.
SPAK është e para strukturë drejtësie e pavarur në historinë e shtetit shqiptar. Unë personalisht mendoj që detyra ime është që qeveria ta mbështesë SPAK-un pa kushte, që edhe kur mund të kemi gjëra për të thënë, mbyllim gojën sepse përndryshe bëhemi pjesë e një polemike që nuk e ndihmon SPAK-un të bëjë punën e vet. Deri këtu jemi, më tutje koha do të na tregojë edhe ne dhe të tjerëve, dhe vetë atyre që sa dhe si gjërat ecin, dhe a mund të bëhen më mirë akoma. Për momentin, mendoj që ne kemi vetëm këtë detyrë. Nuk jam në dijeni që të jetë hapur ndonjë çështje për “21 Janarin”, por nuk e fsheh se e pres me padurim, në sensin e një gjëje që ka më shumë se 10 vjet që është një nga pengjet më të mëdha që ka ky vend, jo unë, se unë po e po. Se ai krim i madh, më i madhi i mundshëm shtetëror të zbardhet dhe përgjegjësit të ndëshkohen dhe rastet e ngjashme janë disa në Evropë dhe botë. Sa i përket amnistisë është një proces që është bërë vazhdimisht për disa arsye jo thjesht për mbipopullimin, do bëhet përsëri sepse të gjitha arsyet qëndrojnë. Besoj shpejt do e kalojmë amnistinë për lirimin e një grupi të kategorive që janë sipas ligjit”, deklaroi Rama.
Diskutime rreth kësaj post