Autoriteti i Konkurencës ka afro një vit që fle gjumë teksa shqiptarët vidhen nga kompanitë telefonike. Në treg operojnë vetëm dy kompani, Vodafone dhe ONE, duke bërë që shqiptarët të privohen në zgjedhjen që bëjnë. Ankesat kanë qenë të shumta gjatë gjithë kohës, sa i përket shërbimit, por mbi të gjitha për çmimet e paketave telefonike që ofrojnë kompanitë. Në këto kushte Autoriteti i Konkurencës nuk është bindur ende për të nisur një hetim, mbi një dakordësim të mundshëm mes dy kompanive për dhënien e shërbimit me të njëjtin çmim dhe cilësi.
“Sektori i telekomunikacionit është në limitet e konkurrencës. Janë vetëm dy operatorë dhe ka shqetësime të vazhdueshme, sektorët janë nën monitorim dhe në mënyrë të vazhdueshme, çdo një muaj, ne u kërkojmë atyre informacione për problematikat që shqetësojnë qytetarët. Autoriteti po mendon për nisjen e një hetimi.”-tha Denar Biba, kreu i AK.
Deri në vitin 2017 shqiptarët kishin katër kompani telefonike: Vodafone, Telekom(ONE), Alb-Telekom dhe Plus. Në fund të vitit 2017 kompania Plus falimentoi. Mes shumë vështirësive financiare, Alb-Telekom iu dorëzua ONE-it dhe në fillim të vitit 2023, zyrtarisht u shkrinë në një kompani të vetme. Kështu, Shqipëria mbetet me dy kompani telefonike, ku me ka dyshime të arsyeshme se operojnë si një e vetme në vjedhjen e shqiptarëve.
Prej disa muajsh, tashmë dyshohet se edhe ONE po lihet qëllimisht të veprojë kundrejt ligjit dhe konkurencës. Kjo me shumë gjasë që kompania të tjetërsohet sërish, kur dikur ishte AMC, T-Mobile, e më pas Telekom. Një tjetër dyshim është që kompania të çohet në falimentim, siç ndodhi me kompaninë Plus. Arsyeja?! Nuk dihet, por koha ka treguar se tregu i telekomunikacionit është burim i madh i të ardhurave të sigurta dhe të formalizuara, ku shumë persona kërkojnë të përfitojnë.
Nëse ONE ka probleme me zgjidhjen e kontratave, me mbi faturimet si dhe me cilësinë e shërbimit, mbrapa nuk mbetet as Vodafone. Shpesh klientët ankohen se paketat e interentit avullojnë në kohë rekord, duke u detyruar të blejnë një tjetër paketë. Madje po të krahasosh çmimet e oferatave, të dyja kompanitë kanë thuajse të njëjtin çmim për shërbimet që ofrojnë. Kjo bën që konkurrenca të mos ekzistojë, duke sjell kosoto shtesë për xhepat e shqiptarëve. Sërish kjo situatë nuk mjafton që Autoriteti i Konkurencës të hetojë thellësisht vjedhjen që po u bëhet shqiptarëve./tvanews
Diskutime rreth kësaj post