Një përplasje në distancë ka ndodhur mes zyrtarëve të pushtetit vendor në Greqi dhe qeverisë qëndrore në Athinë. Në një konferencë të Unionit të Rajoneve të mbajtur në Janinë të Greqisë për investimet në infrastrukturën rrugore, ka patur debate mes përfaqësuesve të rajonit të Epirit, veriu i Greqisë, dhe kabinetit qeveritar.
Kreu i Rajonit të Epirit në Greqi, Alekos Kahrimanis, ka shpëthyer ndaj zv/ministrit të Infrastrukturës, Nikos Tachiaos, duke i akuzuar për mungesë të fondeve për investimet rrugore. Në fjalën e tij, ai përmendi edhe Shqipërinë.
“Ne morëm përsipër të bënim studimet e fizibilitetit, sepse Ministria nuk do t’i përfundonte kurrë. Vjen zv/ministri përgjegjës dhe thotë se nuk ka më para. Por rrugët ishin përgjegjësi e tij. Harrojnë angazhimet e vitit 2007. Është sikur këtu po na konsiderojnë Shqipëri. Nëse vazhdojnë me këto qëndrime, do të gjendemi në situata shumë të vështira”, tha ai.
Zemërimin e tij dhe të pushtetarëve të tjerë lokalë të Greqisë e nxitën deklaratat e zv/ministrit grek të Infrastrukturës, i cili në një emision televiziv kishte thënë se investimet rrugore në infrastrukturën e Prevezës nuk do të financohen nga qeveria.
Kreu i rajonit të Epirit kërkoi nga qeveria greke më shumë investime në këtë zonë të Greqisë.
“Epiri është një nga qarqet e vendit popullsia e të cilit po pakësohet dhe fshatrat po shkretohen. Nevojiten iniciativa shtesë, që tejkalojnë burokracitë dhe pengesat. Një rast i tillë është dhe rihapja e pjesshme doganave të Drymados dhe Ampelonas, në mënyrë që banorët e fshatrave kufitare të Greqisë dhe Shqipërisë të shërbehen dhe të mos bëhemi ne shkaku i shkretimit total të tyre. Kërkojmë mbështetjen e të gjithëve që kjo çështje të zgjidhet”, u shpreh ai.
I pranishëm në këtë konferencë ka qenë zv/ministri grek i Ekonomisë dhe Sekretari i Përgjithshëm i Investimeve Publike të Greqisë.
Diskutime rreth kësaj post