Në një intervistë të fundit për televizionin francez “France 24”, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama është pyetur edhe për çështjen e integrimit në BE dhe bllokimin që po bën Greqia të letrës së 27 vendeve anëtare për hapjen e kapitujve për shkak të çështjes së kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës Fredi Beleri.
Rama u shpreh se nuk beson se bllokimi do të qëndrojë, pasi sipas tij, atëherë nuk do të ishte aspak serioze.
Kryeministri Edi Rama: Unë nuk dua t’i futem kësaj polemike. Sinqerisht nuk besoj se ky bllokim do të qëndrojë, sepse nuk do të ishte serioze. Nga ana tjetër, është vetëm çështje e drejtësisë. Nëse shikoni raportin e progresit, Shqipëria vlerësohet vërtet mirë për çështjet e reformës në drejtësi. Unë jam shumë i kënaqur sepse Shqipëria është vendi më i përparuar në të gjithë Ballkanin për këto çështje.
-Megjithatë në vendin tuaj ndodhet edhe minoriteti grek, afërsisht 1% të popullsisë. A shpresoni të pajtoheni me Greqinë?
Kryeministri Edi Rama: Dëgjoni, me Athinën kemi marrëdhënie strategjike dhe nga ana tjetër, kur flisni për minoritet grek, dua të saktësoj sikurse e thatë, kandidati ishte shqiptar me origjinë greke, edhe kundërshtari i tij në zgjedhje ishte po ashtu shqiptar me origjinë greke. Atëherë s’mund të jetë një çështje minoriteti grek kjo!
Fredi Beleri ndodhet në arrest me burg për akuzat e blerjes së votave në zgjedhjet e fundit lokale në Himarë. Ai e konsideron veten pjesë të minoritetit grek në Shqipëri.
Diskutime rreth kësaj post