Qytetarët e Serbisë dhe të Shqipërisë perceptojnë një nivel më të lartë korrupsioni në vendet e tyre, në krahasim me 4 vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, njofton një Anketë e Këshillit të Bashkëpunimit të Rajonal e realizuar verën e këtij viti në kuadër të Barometrit të Sigurisë. “Një nga faktorët e ndërlikuar që ndikon në nivelet e pakënaqësisë me situatën e përgjithshme në ekonomi të rajonit lidhet me nivelet e larta të korrupsionit të perceptuar. Shumica dërrmuese e të anketuarve (86%) besojnë se korrupsioni është disi ose shumë i përhapur, me Serbinë që renditet e para (90%) e ndjekur nga Shqipëria (87%)” thuhet në Raportin që shoqëron Anketën e Barometrit. I rëndësishëm mbetet fakti se, një në dy të anketuar në përgjithësi në rajon e sheh korrupsionin të rrënjosur thellë në ekonomitë (duke raportuar se fenomeni është shumë i përhapur). Analistët e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal raportojnë se përgjigjet ndaj pyetjeve rreth korrupsionit japin një pamje pesimiste së korrupsioni i përhapur. Të anketuarit kanë pranuar se, praktikat korruptive, të vogla dhe të mëdha, janë një pjesë normale e jetës në ekonomitë e rajonit të BB dhe se reagimi ndaj korrupsionit është joefikas dhe i pamjaftueshëm. Besimi të korrupsioni është aq i fortë, pasi nxit perceptimet se shpesh është mënyra e vetme për të marrë shërbime publike.
Kapja e shtetit
Atësia e sistemeve demokratike për t’i bërë ballë destabilitetit varet në një masë të madhe nga mungesa e korrupsionit dhe nepotizmi në sektorin publik. Kapja e shtetit është një pengesë absolute për zhvillimin demokratik, thuhet në analizën e rezultateve të anketës. Tani korrupsioni në Ballkan, por sidomos në Shqipëri përkufizohet si korrupsion sistematik politik, në të cilin politikanët shfrytëzojnë kontrollin e tyre mbi një ekonomi dhe zhvillojnë proceset e vendimmarrjes në avantazhin e tyre. Rrjedhimisht, edhe pse integrimi evropian i Rajonit të Ballkanit Perëndimor ka vazhduar për më shumë se dy dekada, korrupsioni ende përshkon të gjitha sferat e shoqëritë e rajonit. Në Strategjinë e tij të Zgjerimit, Komisioni Evropian pranoi mungesën e progresit midis ekonomive aktuale kandidate për në BE duke nënvizuar problemin ekzistues të kapjes së shtetit në të gjitha nivelet të qeverisë dhe të administratës. Në mënyrë shqetësuese, përparimi kundër korrupsionit i arritur në Ballkanin Perëndimor me mes viteve 2000- 2010 tani është shuar dhe entuziazmi në shoqëri ka rënë. Raportet e progresit të Komisionit Evropian për vitin 2022 për ekonomitë e Ballkanit Perëndimor vunë në dukje disa mangësi të reja kur është fjala për luftën kundër korrupsionit. Sipas raporteve, të gjitha ekonomitë në rajon vuajnë nga korrupsioni i nivelit të lartë, ku problemi kryesor është numri i ulët i dënimeve.
Emigrimi
Por nuk ndalet me kaq, pasi Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, sidomos Shqipëria duhet të alarmohet nga potencialet e larta të popullatës që kërkon të emigrojë në mënyrë të përhershme, duke sinjalizuar një rreth vicioz të një krize demografike, ekonomike dhe politike, tha Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), pas analizës së rezultateve të anketës së Barometrit të Sigurisë për vitin 2023. Rezultatet e anketës që u zhvillua në maj-qershor 2023 në 6 vendet të Ballkanit Perëndimor evidentuan se Shqipëria megjithëse ka përjetuar deri më tani emigracion më të fortë se Rajoni, ende ka potencial të lartë të largimit nga vendi sidomos për të rinjtë e arsimuar. Anketa që u zhvillua në rreth 6000 persona në Ballkan tregoi se, 31 për qind e shqiptarëve planifikojnë të largohen nga vendi. Por më rëndësishmja është se, 18 për qind e tyre tashmë kanë plane dhe kanë gjetur mënyrat për të ikur. Rezultatet tregojnë se emigracioni në Shqipëri është më agresiv se në të vendet e tjera pasi, në një përqindje më të madhe shqiptarët nuk dëshirojnë të emigrojnë përkohësisht por përgjithmonë. Nga pjesa e shqiptarëve që kanë shprehur dakord për të ikur, pothuajse 44 % duan të emigrojnë në mënyrë të përhershme niveli më i lartë në Rajon. Ata që synojnë të largohen, në përgjithësi, përqendrohen në grupin aktiv të punës 18-44, ndërsa ata që nuk duan të largohen dominojnë grupin 45-65+ të popullatës. Pavarësisht një tkurrjeje nga viti 2022, planet për emigracionit vazhdojnë në Rajon dhe kryesisht në Shqipëri, duke shndërruar fenomenin e largimit në një prirje të qëndrueshme. Analiza e RCC tregon se një prirje e tillë padyshim do të thellojë krizën demografike, për shkak të një kombinimi të rrezikshëm të migrimit të vazhdueshëm dhe plakjes së popullsisë. Kjo situatë krijon kushtet për më shumë mungesa të fuqisë punëtore, i konsideruar tashmë si një emergjencë për Shqipërinë. Në Shqipëri faktorët shtytës që nxisin emigracionin lidhen me arsyet ekonomike dhe mosbesimin në institucione. Në të njëjtën kohë zgjerimi i rrjeteve familjare dhe numri i atyre që mund të përdorin këto lidhje përforcohen, duke nxitur më tej flukset dalëse të migracionit. Nga ana tjetër, prirja migratore e të anketuarve të mirë-arsimuar në mënyrë të pashmangshme përforcon problemet e ikjes së trurit tashmë të pranishme në ekonomitë rajonale. Ky kontingjent është i prirur të kalojë në shoqëri tashmë të qëndrueshme në vend që të luftojë për të siguruar kushte më të mira në vend. Largimi i tyre po çon në performancë të dobët në të gjitha fushat dhe gërryerje të përgjegjësisë në vend.
Diskutime rreth kësaj post