Analisti Mentor Nazarko, duke komentuar draft statutin e asociacionit të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, theksoi se Albin Kurti e ka kthyer vendin shumë vite pas. Në emisionin “Real Story” me gazetarin Sokol Balla, ai u shpreh se sot Serbia është më e fortë se ajo e 2013-ës ndërsa Kosova më e dobët.
“Kurti ka tentuar të jetë besnik i qasjes së vet, që çfarë është negociuar në Bruksel ka qenë e gabuar. Unë do të bëj negociatat e mia. Në një kuptim e ka kthyer marrëdhënien Kosovë-Serbi në nivelin e 2013 dhe madje në 2004 kur serbët nuk ishin të përfshirë në prokurori, gjykata, parlament etj. Pra ky i ktheu mbrapa. Gabimi është që në këtë kthim pas, Serbia e sotme është më e fortë e 2013 apo 2004 kurse Kosova e sotme është më e dobët sesa ajo e 2013-ës dhe 2004-ës. Në këtë kuptim, e ka dobësuar ndërkombëtarisht pozitën negociale të Kosovës dhe me këtë pozitë të dobësuar, shkon dhe negocion një draft statut që është më i dobët. Nëse do të kishte negociuar në 2015, do të ishte më pak garantist.“, u shpreh Nazarko.
Sipas tij, asociacioni është një dhuratë e Perëndimit për presidentin serb por e firmosur nga Kurti.
“Ai ka thënë që jam i gatshëm ta firmos vetëm se ai bën një manovër që ia kanë lejuar që ta bëjë, se ai thotë unë e firmos po të jetë bashkë me firmën për marrëveshjen e Ohrit dhe të Brukselit që do të thotë ku pranohet pavarësia de facto. Në këtë kuptim, i jep një shah Vuçiç që të firmosë edhe ai në të njëjtin tekst. Në 2013 në negociatat që bënte Thaçi, kam parë dy firma në të njëjtin dokument. Firmoste Thaçi dhe Daçiç. Tani edhe kjo nuk po arrihet. Nëse do të qartësojmë diçka që vlen për debatin publik, është që bashkësia perëndimore për të ndihmuar Vuçiç dhe për të mos u lodhur, thonë tani. Pse e ndihmon Vuçiç? Sepse do të shkojë në këto zgjedhjet e Dhjetorit me statutin e asociacionit të jetësuar.”, shtoi ai.
Diskutime rreth kësaj post