Shtetet e Bashkuara të Amerikës të enjten kanë vendosur në listën e zezë 10 individë, teksa kanë shpallur raundin e radhës të sanksioneve ekonomike në Ballkan.
Sipas ueb-faqes zyrtare të Thesarit amerikan, individët e sanksionuar janë nga Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Në mesin e tyre janë Savo Cvijetinoviç, Petar Gjokiç dhe Dushko Peroviç nga Bosnja e Hercegovina; Miodrag Davidoviç dhe Branisllav Miqunoviç nga Mali i Zi; Ratka Kunoska Kamceva, Irina Samsonenko dhe Sergey Samsonenko nga Maqedonia e Veriut; dhe Misha Vaçiç e Nenad Popoviç nga Serbia.
Dy të fundit janë sanksionuar edhe nga Departamenti amerikan i Shtetit për lidhje me ndikimin dashakeq të Rusisë në rajon, dhe me korrupsionin e mundësuar prej tij.
Thesari dhe Departamenti i Shtetit, po ashtu, kanë sanksionuar edhe 18 kompani.
“Rusia ka vazhduar të përdorë ndikimin e saj në Ballkanin Perëndimor për të parandaluar integrimin e rajonit në institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, si dhe të përdorë juridiksionet kryesore për të lehtësuar aktivitetet e saj agresive destabilizuese,” ka thënë nënsekretari për Terrorizmin dhe Inteligjencën Financiare i Thesarit amerikan, Brian E. Nelson.
“Veprimi i sotëm rikonfirmon përpjekjet më të gjera të qeverisë amerikane për të promovuar paqen, stabilitetin dhe qeverisjen funksionale demokratike në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, është shprehur Nelson.
Diskutime rreth kësaj post