Shoqëria civile në Shqipëri i është drejtuar me një letër të hapur Qeverisë, duke i kërkuar që të tërhiqet nga marrëveshja për emigrantët, që është nënshkruar më 6 nëntor.
Mungesa e transparencës nga ana e ekzekutivit shqiptar dhe rreziku për shkeljen e të drejtave të njeriut të emigrantëve renditen si arsye kryesore në letrën që 29 organizatat e shoqërisë civile i drejtuan Qeverisë.
Letra e hapur u publikua në ditën kur Qeveria shqiptare miratoi marrëveshjen e nënshkruar mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe homologes së tij italiane, Giorgia Meloni. Marrëveshja parasheh që emigrantët që shpëtohen në Detin Mesdhe të dërgohen në portin e Shëngjinit në Shqipëri, ku do të ngrihet qendra e pritjes. Emigrantët do të strehohen aty dhe në një qendër tjetër në Gjadër, në pritje të shqyrtimit të kërkesave të tyre për azil.
Në letrën drejtuar Qeverisë së Shqipërisë, organizatat shprehën shqetësimin për rrezikun e heqjes së padrejtë të lirisë për emigrantët.
“Duke pasur në konsideratë të dhënat se Italia shqyrton kërkesat për azil në afate shumë të gjata [gjashtë muaj deri në një vit], kjo mund të rezultojë në heqje të padrejtë të lirisë së lëvizjes për azilkërkuesit, duke cenuar parimin ndërkombëtar të ‘moskthimit të azilkërkuesit’ me pasoja potencialisht ligjore për shtetin shqiptar”, thuhet në letrën e organizatave për të drejtat e njeriut, transmeton REL.
Gjithashtu ngrihet shqetësimi për mungesë të transparencës pasi nuk ka pasur konsultim publik dhe as informim të institucioneve më të larta të vendit si presidenti dhe Kuvendi i Shqipërisë.
“Mungesa e transparencës përbën një zhvillim shqetësues dhe devijim negativ nga praktika dhe standardet e vendeve demokratike, të cilat janë të detyrueshme për një vend si Shqipëria”, thuhet në letrën e hapur.
Marrëveshja është kritikuar edhe nga opozita në Shqipëri, që ka kërkuar interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama, si dhe ka paralajmëruar që ta dërgojë këtë marrëveshje në Gjykatën Kushtetuese. Kryeministri Rama ka deklaruar se Shqipëria nuk ka asnjë përfitim nga kjo marrëveshje, por e ka pranuar atë në shenjë mirënjohje ndaj Italisë, që prej viteve ‘90 ka pritur mijëra emigrantë shqiptarë.
Sipas marrëveshjes të publikuar nga Qeveria shqiptare, Italia do të depozitojë 16.5 milionë euro në një llogari të posaçme të Thesarit të Shqipërisë, si paradhënie për strehimin e deri në 3.000 emigrantëve.
Diskutime rreth kësaj post