Drejtuesi i emisionit investigativ “Stop” në Tv Klan, Saimir Kodra është përballur mbrëmjen e sotme me shefin e Komisariatit Numër 1 në Tiranë, Petrit Hala, në lidhje me rastin e denoncuar nga “Stop” përsa i përket dhunës së ushtruar ndaj 3-vjeçares në kopshtin privat “Stinët”.
Saimir Kodra e ka pyetur Halan në “Opinion” se pas pamjeve që “Stop” ka transmetuar ditën e sotme ku duket qartësisht momenti i thyerjes së këmbës së vajzës, a është marrë ndonjë masë, ndërsa Hala i përgjigjet se të gjitha pamjet policia i ka siguruar që 1 ditë pas ngjarjes, më 2 Nëntor, të cilat thotë se janë në prokurori duke u hetuar.
Nga ana tjetër, Saimir Kodra thotë se Prokuroria nuk i ka pamjet teksa ka shtuar se u desh që “Stop” ta denonconte rastin që të merreshin masa, edhe pse oficerët e Policisë Gjyqësore kanë pasur dijeni për ngjarjen e denoncuar në polici para disa ditësh nga familjarët e të voglës.
Saimir Kodra: Komisariati Numër 1 ju është referuar atyre që unë transmetova, megjithëse e kishin të gjithë DVR aty brenda. Ka sot e 8 ditë që akoma nuk e kanë zbardhur.
Saimir Kodra-Petrir Halas: A është marrë ndonjë masë për edukatoren sot? Pas pamjeve, a është marrë ndonjë masë?
Petrit Hala: Të gjitha pamjet që janë marrë, janë marrë që ditën e parë në datën 2.
Saimir Kodra: A u zbardhën se unë e di që ju i keni marrë?
Petrit Hala: Po punohet për t’i zbardhur. Janë në Prokurori dhe po punohet…
Saimir Kodra: Prokuroria nuk i ka pamjet.
Petrit Hala: Të gjitha i ka.
Saimir Kodra: Të jemi korrektë. Kam konfirmim nga Prokuroria, në Prokurori nuk kanë vajtur pamjet.
Petrit Hala: Unë vij si përfaqësues i Policisë së Shteti dhe të gjitha pamjet që janë marrë që ditën e dytë…
Saimir Kodra: Nuk ka kryer asnjë veprim, si policia, ashtu edhe prokuroria.
Petrit Hala: Janë të gjitha në material të përcjellë nga ana jonë në procedimin penal që është nisur në këtë rast.
Saimir Kodra: Ai materiali që më erdhi mua është 80 orë material, 6 kamera nga ora 8 e deri në orën 15 e 07.
Petrit Hala: Janë kryer të gjitha janë kryer veprimet proceduriale të plota.
Saimir Kodra: Nuk besoj ashtu se ka që 8 ditë dhe akoma nuk ka… U desh që ta nxirrja unë…
Petrit Hala: Edhe këto pamje që keni marrë janë me këqyrje.
Saimir Kodra: Pse nuk reaguat atëherë?
Petrit Hala: Po ndiqet nëpërmjet prokurorisë.
Saimir Kodra: Mundet që në këto pamje që sot patë tek mua të mos kishit reaguar në 8 ditë? Çfarë do të bëni pas këtyre pamjeve?
Petrit Hala: Për atë mosreagim të oficerëve të policisë, ministri i Brendshëm dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit mori masë të menjëhershëm për pezullimin nga puna të 3 policëve.
Kujtojmë se pas denoncimit të nënës së vajzës së vogël 3-vjeçare që u dhunua në kopshtin privat “Stinët” në Tiranë, rasti shkoi në Komisaritatin Numër 1 dhe u hetua nga shefi i krimeve Ylli Çako. Ky i fundit ka sekuestruar pamjet filmike të kopshtit, ku duket qarta dhuna. Por ai nuk ka vazhduar me procedurën për arrestimin e personit apo personave që kanë ushtruar dhunë ndaj të miturës.
E inflirtuara: Si kaluat?
Shefi i Krimeve, Ylli Çako: Mirë.
E inflirtuara: Unë jam halla e vajzës së dëmtuar. Kopshti vazhdon të jetë i hapur dhe është në punë. Ne nuk dimë asgjë se çfarë po bëhet. Nuk është marrë asnjë masë. Çfarë është bërë të paktën sepse ne nuk dimë asgjë?
Shefi i Krimeve, Ylli Çako: Materiali është dërguar në prokurori dhe po vazhdon hetimi. Kjo është e gjitha. Unë përsëri po i shikoj, po i hap pamjet filmike.
Pas transmetimit të “Stop”, Ylli Çako u pezullua nga puna.
Diskutime rreth kësaj post