Qeveria e Kosovës ka mohuar zërat se ka pranuar apo është pajtuar me ndonjë marrëveshje që përmban autonomi për serbët. Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu theksoi se në fakt Kosova ka treguar thjeshtë gatishmërinë për respektim të të drejtave të çdo anëtari të komuniteteve në Kosovë, sipas standarteve të Këshillit të Evropës.
“Ajo çka duam ne të theksojmë është se Kosova nuk ka pranuar e as nuk është pajtuar për kurrfarë autonomie. Ne kemi treguar gatishmërinë tonë për respektim maksimal të të drejtave të çdo anëtari të komuniteteve, sipas standardeve të Këshillit të Evropës, aty ku do të anëtarësohet Republika jonë; por asnjëherë autonomi, defunksionalizim, fragmentim, apo çkado tjetër që nuk e lejon Kushtetuta e Republikës”, tha Kryeziu në RTK.
Ky reagim erdhi pas një artikulli në median e shkruar amerikane “Fox Neës”, ku midis të tjerave thuhej se presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së fundit në Kosovë dhe Serbi, kërkoi njohjen de facto dhe autonomi për serbët e veriut.
Ky artikull u shpërnda edhe nga ish-kryeministri Avdullah Hoti, i cili kërkoi një reagim nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti, apo presidentja Vjosa Osmani.
Sipas Kryeziut, ende nuk është e qartë nëse lajmi në fjalë i referohet një citati të drejtpërdrejt të Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen apo është interpretim i vet gazetës mbi deklaratat e presidentes së KE-së.
Diskutime rreth kësaj post