Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka thënë se Gaza duhet të jetë pjesë e një shteti palestinez të pavarur dhe sovran sapo të përfundojë lufta Izrael-Hamas.
Erdogan gjithashtu theksoi se Ankaraja nuk do të mbështesë asnjë plan që “të fshijë gradualisht palestinezët” nga historia, transmeton Telegrafi.
Turqia, e cila ka përshkallëzuar ashpër kritikat e saj ndaj Izraelit ndërsa kriza humanitare në Gaza është intensifikuar, mbështet një zgjidhje me dy shtete dhe nuk e sheh Hamasin si një organizatë terroriste, ndryshe nga SHBA, Britania dhe të tjerët në Perëndim.
Gjithashtu, Turqia ka bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe ka ofruar ngritjen e një sistemi për ta garantuar atë.
“Pasi të përfundojë e gjithë kjo që po ndodh, ne duam ta shohim Gazën si një rajon paqësor që është pjesë e një shteti të pavarur palestinez, në përputhje me kufijtë e vitit 1967, me integritet territorial dhe me Jerusalemin Lindor si kryeqytet”, citohet të ketë thënë Erdogan.
“Ne do të mbështesim formula që do të sjellin paqe dhe qetësi në rajon”.
“Ne nuk do të mbështesim planet që do të errësojnë më tej jetën e palestinezëve, që do t’i fshijnë ata gradualisht nga skena e historisë”. tha ai.
Diskutime rreth kësaj post