Gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Zgjeruar e Partisë Socialiste në Fier, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Shqipëria ka inflacionin më të ulët në rajon. Ai ka theksuar se vendi ynë doli nga Lista Gri, ndërkohë u futën Kroacia dhe Bullgaria. Sipas Ramës, fakti që Shqipëria nuk është më në Listën Gri forcon më shumë reputacionin e vendin dhe rrit më shumë besueshmërinë.
“Shqipëria ka sot inflacionin më të ulët në rajon dhe në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe e ka inflacionin sot nën mesataren e BE. Aktualisht, jemi nga shtatori i 2023 me 4. 1 për qind dhe sipas Bankës së Shqipërisë, inflacioni vitin e ardhshëm do të rikthehet në normalitetin e përpara krizës midis dy dhe katër. Përpara pak ditësh, Shqipëria doli nga lista e gri me vlerësime të larta për të gjithë punën e bërë. Lista gri është listë ku futen vende të cilat kanë problematika me qarkullimin e parasë, me pastrimin e parave e me radhë, por është një proces. Për shembull, doli Shqipëria nga Lista Gri, u fut në Listën Gri Kroacia dhe Bullgaria. Pra, nuk është fundi i botës të jesh në Listën Gri, por është shumë më mirë të mos jesh sepse kjo forcon më shumë reputacionin e vendin dhe kjo rrit më shumë besueshmërinë dhe qarkullon më lehtësisht qarkullimin e parasë”, tha kryeministri.
Kryeministri Edi Rama thekson se asnjë taksë nuk do të rritet dhe “se do të bëhet një rishikim i nivelit të lartë të taksës mbi pagën.
“Asnjë taksë nuk do të rritet. Jemi i vetmi vend në rajon që ka biznesin e vogël me zero taksë. Nuk e ka asnjëri. Dhe zero TVSH, nuk e ka asnjëri. Ndërkohë jemi duke diskutuar dhe mbase do ta arrijmë deri në fund që edhe nivelin e lartë të taksës mbi pagën të bëjmë një rishikim që nga rritja e pagave në nivelin e lartë, kam parasysh që deri dje kishim një milionëshin si nivel të lartë.Sot nuk është kështu që edhe aty do të mundohemi të bëjmë një zbutje që të mbetet më shumë për familjet.”, shtoi kryeministri.
Kryeministri Edi Rama thotë se Shqipëria është gjithmonë e më e respektuar në arenën ndërkombëtare. Dhe se vendi ynë ka një nga ekonomitë më rezistente në rajon, duke iu referuar edhe deklaratës së misionit të FMN.Ndër të tjera, kreu i qeverisë shtoi se aktualisht, borxhi publik është 60% dhe synohet që vitin e ardhshëm të ulet nën këtë shifër.
“FMN në misionin e saj të fundit, theksoi se Shqipëria, sot ka një ekonomitë me rezistente në rajon. Të kesh një ekonomi rezistente sot, brenda, natyrisht, kapacitetit që ke, nuk është diçka që e kanë të gjithë. Agjencia e vlerësimt të shteteve, bëri pas 7 vjetësh, një tjetër rritje të rëndësishme, në vlerësimin e Shqipërisë, duke e kaluar nga vlerësimi B+ stabël, në vlerësimin B+ me perspektivë pozitive. Nëse ne do të vazhdojmë të ecim përpara si deri tani, me uljen e borxhit, dhe me çeljen e negociatave, ne bëhemi një shtet që mund të marrë së shpejti, vlerësimin dhe të kalojë në 2B.Kemi pasur goditje të forta, të njëpasnjëshme, si tërmeti dhe pandemia. Borxhi ynë shkoi deri në 75%. Sot që flasim, me buxhetin e vitit 2024, ne jemi pothuajse në 60%, pra kemi një ulje me 15% të borxhit.Projeksioni ynë, është që vitin e ardhshëm, ne do të zbresim nën 60%. Ndërkohë që çmimi i energjisë u rrit në mënyrë të frikshme, për të gjithë, jo për ne, asgjë nga kjo rritje e frikshme e çmimit të energjisë, nuk është reflektuar në faturën e dritave të asnjë familje shqiptare, sepse kemi vënë në dispozicion një volum të konsiderueshëm lekësh, çdo familje duke e paguar nga arka e shtetit, diferencën që vinte nga rritja e imponuar nga kriza.”, u shpreh ai.
Kryeministri Rama tha se 8.92 milionë turistë kanë ardhur gjatë këtij viti në Shqipëri, një shifër që disa vite më parë do të ishte e paimagjinueshme.
“Sot mora të dhënat e tetorit për turizmin. Jemi në tetor dhe krahasimisht me tetorin e vitit të shkuar, numri i turistëve që kanë hyrë në Shqipëri është rritur me mbi 80%. Tetorin e shkuar kanë qenë 850 mijë turistë, këtë tetor 691 mijë turistë dhe nga janari në tetor ne kemi prekur numrin e 9 milionë turistëve në Shqipëri. Për të qene të saktë, është 8.92, por gjithsesi është një shifër që do të ishte e paimagjinueshme deri disa vite më parë. Mos të harrojmë asnjëherë se kur flasim për turizëm, ka disa që mendojnë se kjo është diçka që nuk ka lidhje me jetën e tyre të përditshme. Në fakt ajo që po ndodh sot është që turizmi po kthehet në industri dhe nga ana tjetër është eksporti më i madh sepse nuk është se ata turistë që vijnë rrinë në ajër, por rrisin konsumin, kërkesën për shërbime dhe prodhime. Patjetër rrisin dhe të ardhurat në ekonomi”, tha Rama.
Kryeministri Rama vlerësoi dhe punën e drejtësisë së re në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Diskutime rreth kësaj post