Deputeti i Partisë Socialiste, Lavdrim Krashi thotë se drejtësia po vendos para përgjegjësisë, edhe politikanë të cilët janë konsideruar si “të paprekshëm”, duke iu referuar vënies nën hetim nga SPAK të ish kryeministrit Sali Berisha, për privatizimin e ish kompleksit “Partizani”.
Në një intervistë për “Ora e Fundit” në ABC News, Krashi u shpreh se ky është një sinjal pozitiv nga ana e drejtësisë për klasën politike shqiptare.
Lidhur me tensionet dhe përplasjet fizike në seancën plenare të së hënës në Kuvend, ku deputeti demokrat, Bledion Nallbati goditi kolegun socialist, Vullnet Sina, Krashi nënvizoi se dhuna është e papranueshme.
“Këto skenat e dhunës që i kemi parë që në ditën e hënë, por që kanë vazhduar për fat të keq edhe në komisionet parlamentare, është shfaqur edhe sot në komisionin, që për mendimin tim është komisioni më i rëndësishëm. Dita ku u hodh për herë të parë për diskutim në komisionet parlamentare, projekt buxheti i vitit 2024, në vend që të diskutohet për të, ne u morëm me gjëra që në fakt, aty ku fillon dhuna, kanë mbaruar argumentet. Kjo, në vlerësimin tim është krejtësisht e papranueshme që deputeti të ketë sjellje të tillë, krejtësisht jo etike, absolutisht e papranueshme në sytë e të gjithë popullit shqiptar.
Unë shpresoj se deputetët e PD t’i thërrasin ndërgjegjes, arsyes dhe të sillen si përfaqësues të qytetarëve. Lidhur me kallëzimin që ka bërë PS, unë e kuptoj që deputeti i PD ka kërkuar një farë ndjese, ndonëse indirekte, gjithsesi, mësimet duhet të nxirren. Aty ku ka dhunë, dhe dhuna është e papranueshme, jemi të detyruar të ndjekim procedurat ligjore.
Më në fund ne kemi një institucion të drejtësisë, që po vë para përgjegjësisë, edhe njerëz që para pak muajsh mendoheshin si të paprekshëm. Ky është një sinjal pozitiv jo vetëm për këtë që po ndodh në lidhje me një individ të caktuar, por edhe për të gjithë klasën politike dhe të gjithë shërbëtorët publikë që paguhen me taksat e taksapaguesve”, theksoi ai.
Diskutime rreth kësaj post