Grupi i PS-së ka kërkuar masë ndëshkimore për 7 deputetët e opozitës: Gazmend Bardhi, Bledion Nallbati, Flamur Noka, Edi Paloka, Albana Vokshi, Saimir Korreshi dhe Lefter Geshtenja.
Kërkesa:
Deputetët Flamur Noka, Gazmend Bardhi, Bledion Nallbati, Edi Paloka, Albana Vokshi penguan zhvillimin normal të seancës plenare që në nisje të saj duke zaptuar foltoren, si dhe duke mos lejuar diskutantët e regjistruar të mbanin fjalën e tyre.
Deputeti Flamur Noka nuk lejoi asnjë deputet të regjistruar të mbante fjalën duke i’u afruar e penguar gjatë diskutimit. Gjithashtu deputeti Noka i hoqi kartën nga pajisja deputetit Ismet Beqiraj duke mos e lejuar që të përfundonte fjalën.
Deputeti Gazmend Bardhi përveç veprimeve të mësipërme tentoi të godiste Kryetaren e Kuvendit me shishen ujit e cila ishte në foltore. Gjithashtu deputeti Bardhi gjatë kohës që deputetja e Partisë Socialiste Klodiana Spahiu u ngrit për të mbajtur fjalën e saj, ai i hoqi kartën nga pajisja elektronike duke i hequr kështu të drejtën për të folur.
Deputeti Edi Paloka pengoi deputetët e Partisë Socialiste të mbanin fjalën e tyre, u bë pjesë e konfliktit mes deputetëve Nallbati dhe Sinaj duke debatuar, si dhe gjatë kohës që deputeti Bujar Çela po fliste i hoqi kartën nga pajisja elektronike duke i hequr të drejtën e fjalës.
Deputetja Albana Vokshi pengoi gjatë gjithë kohës zhvillimin normal të seancës plenare, si dhe gjatë kohës që deputeti Fadil Nasufi mori fjalën i hoqi kartën nga pajisja elektronike duke mos e lejuar të fliste.
Deputetet Saimir Korreshi dhe Lefter Geshtenja penguan zhvillimin normal të seancës duke bllokuar foltoren.
Sa më sipër, bazuar në nenin 63, pika 1 gërma d), dhe nenin 65/1 te Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe në nenin 3, gërma dh) dhe ë), nenin 8, pika 2 gërma b) dhe nenin 33 të Kodit të Sjelljes së Deputetit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, paraqesim kërkesën si më poshtë:
– Marrjen e masës disiplinore ndaj deputetëve Gazmend Bardhi, Bledion Nallbati, Flamur Noka, Edi Paloka, Albana Vokshi, Saimir Korreshi dhe Lefter Geshtenja.
– Mbledhjen e Sekretariatit për Procedurat. Votimet dhe Etikën për vlerësimin e masësdisiplinore.
Diskutime rreth kësaj post