Sulmet e Hamasit kundër Izraelit “nuk erdhën nga hiçi, populli palestinez i është nënshtruar pushtimit mbytës për 56 vjet”, edhe pse “vuajtjet e popullit palestinez nuk mund të justifikojnë sulmet e tmerrshme të Hamasit”. Kështu tha Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, duke hapur takimin e posaçëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për krizën në Lindjen e Mesme.
“Sulmet e tmerrshme” nga Hamas “nuk mund të justifikojnë dënimin kolektiv të popullit palestinez”, shtoi Guterres, i cili foli për “shkelje të qarta të ligjit humanitar” në Gaza dhe bëri thirrje për një armëpushim “të menjëhershëm” për të lehtësuar “vuajtjet e mëdha” të popullsisë së Gazës. “Asnjë palë në një konflikt nuk është mbi të drejtën ndërkombëtare humanitare,” tha Guterres.
Deklarata këto që ngjallën zemërimin e Izraelit. Ambasadori izraelit në Kombet e Bashkuara, Gilad Erdan, i është përgjigjur numrit një të OKB-së, duke thënë se fjalët e tij tregojnë se si ai është “i shkëputur nga realiteti i rajonit tonë”. Ai shtoi se komentet e tij përfaqësojnë një justifikim “tronditës” për terrorizmin dhe vrasjet, duke bërë thirrje – siç raportuan mediat – për dorëheqjen e Antonio Guterres.
“Nuk ka asnjë justifikim apo kuptim të flasësh me ata që tregojnë mirëkuptim për aktet më të tmerrshme të kryera kundër qytetarëve të Izraelit, aq më pak nga një organizatë e dukshme terroriste”, tha Erdan. “Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, i cili tregon mirëkuptim për fushatën e shfarosjes masive të fëmijëve, grave dhe të moshuarve, nuk është i përshtatshëm për të udhëhequr OKB-në”, shkruan në platformën X ambasadori izraelit në OKB.
“Unë e ftoj atë të japë dorëheqjen menjëherë”. “Nuk ka asnjë justifikim apo pikë për të folur me ata që tregojnë dhembshuri për mizoritë më të tmerrshme të kryera kundër qytetarëve të Izraelit dhe popullit hebre. Thjesht nuk ka fjalë”, shtoi ai.
Diskutime rreth kësaj post