Ministria e Mbrojtjes e Serbisë i ka hedhur poshtë si “gënjeshtra plotësisht të neveritshme dhe flagrante” deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili tha të hënën se sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit e kreu “Klani i Novi Sadit” i udhëhequr nga ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq.
Në një përgjigje të shpejtë pas deklaratave të Kurtit, Ministria serbe të hënën i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar për ta ndaluar “menjëherë fushatën nxitëse dhe të ndyrë mediatike të kryeministrit të institucioneve të përkohshme të vetëqeverisjes në Prishtinë” ndaj Serbisë dhe zyrtarëve të saj
Të hënën, Kurti bëri akuza të reja ndaj Serbisë për sulmin e 24 shtatorit nga një grup serbësh të armatosur kundër Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
“Para dy dekadave në Serbi sundonte Klani i Zemunit, kurse tash vendin atij ia ka zënë Klani i Novi Sadit. Kriminelë në luftë, kriminelë në paqe; kriminelë në Serbi, kriminelë në Kosovë. Presidenti i shtetit, Aleksandar Vuçiq, porsi një capo-di-tutti-capi, ndodhet aty për të dëshmuar që ndonëse krimi e dikton shtetin, në fakt, është shteti që e dikton krimin”, shkroi Kurti në Facebook të hënën.
Ekzistimi i një “Klani të Novi Sadit” nuk është i njohur për publikun në Serbi.
Ministria serbe i cilësoi deklaratat e liderit kosovar si “qëllim për të shkatërruar çdo mundësi për qetësimin e tensioneve në krahinën tonë jugore.”
“Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura Serbe do të mbeten të përkushtuara ndaj roleve të tyre kushtetuese dhe ligjore për të ruajtur sigurinë dhe jetën paqësore të të gjithë qytetarëve të Serbisë”, thuhet në komunikatë.
Kosova e ka akuzuar Serbinë se tentoi ta “aneksojë tërë veriun e Kosovës”, gjë të cilën Serbia e ka mohuar, megjithëse përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, nënkryetari i atëhershëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit.
Kosova dhe Serbia kanë nisur hetime paralele për ngjarjet në Banjskë, ndërkohë që Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Beogradit të bashkëpunojë plotësisht për këtë çështje.
Kurti theksoi se “grupi terrorist në arrati i udhëhequr nga Millan Radoiçiq po qëndron në Rashkë. Atyre MUP-i famëkeq serb iu ka ndarë vetura të tipit Shkoda Oktavia me ngjyrë të bardhë dhe të zezë e me tabela regjistrimi BG dhe… NS.”
Ai paralajmëroi se në katër komunat veriore të Kosovës po merr fund “terrori, kriminaliteti dhe kultura e dhunës e paramilitarëve të Delije (tifozët e Cërvena Zvezdës) që shprehet me nofkat e ekstremistëve si: Mami, Llune, Daco, Rusi, Nemac, Gile, Drago, Aco, Comi, Belli, Micko, Prki, Mrki etj.
Diskutime rreth kësaj post