Broja pritej nga tifozët që të debutante me trajnerin Silvinjo te Kombëtarja, por sulmuesi u largua sërish drejt Chelsea-t. Silvinjo njoftoi se arsyeja ishte se futbollisti 22-vjeçar nuk ia doli të ishte i gatshëm fizikisht për duelin me Çekinë. Në shtypin e shkruar u përfol edhe për një konflikt mes trajnerit të Kombëtares dhe Armando Brojës, por është Bashkim Tufa ai që sqaron këtë çështje.
I ftuar në studion e emisionit “Ora Sport” në “Ora News”, Tufa ka thënë se Broja ka ndjerë shqetësim në gjurin e dëmtuar. Rezonanca manjetike nuk ka treguar probleme për sulmuesin, por pas konsultimeve me mjekët e Chelsea-t, lojtari u la të largohej drejt Londrës. Gjithashtu, gazetari i njohur tregon se Broja ka zhvilluar edhe një takim kokë më kokë e Silvinjon përpara se të vendoste të udhëtonte drejt Londrës.
“Broja ka ardhur dhe ka bërë një ditë stërvitje. Të nesërmen është ankuar për një dhimbje në gjurin ku ka qenë i dëmtuar. Ka bërë rezonancën manjetike. Ka dalë mirë rezonanca, nuk ka pasur probleme mjekësore. Megjithatë, Broja ka këmbëngulur që ‘më dhemb gjuri’. Në këto kushte, stafi mjekësor i Kombëtares është lidhur me stafin mjekësor të Chelsea-t dhe ata i kanë thënë të kthehet. Brojës i kanë dhënë një biletë për ta parë ndeshjen në stadium. Broja ka preferuar të largohet drejt Londrës.
Edhe një pikë shumë e rëndësishme. Pasi ka dalë rezonanca manjetike që s’ka probleme, ka ndodhur një bisedë kokë më kokë me Silvinjon. Se çfarë është thënë nuk është marrë vesh, sepse është private. Pastaj ndodhi që Broja u largua. Në këto momente entuziasmi që po përjeton ekipi kombëtar, të mos kërkojmë qiqra në hell dhe të krijojmë për disa klikime probleme që s’janë”, ka thënë Bashkim Tufa./Sport Ekspres
Diskutime rreth kësaj post